Në 11-vjetorin e marrëveshjes së parë të arritur në kuadër të dialogut, Bashkimi Europian përsërit rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve. Zëdhënësi Peter Stano, konfirmoi se të gjitha dokumentet e pranuar nga Kosova dhe Serbia janë të vlefshme dhe duhet të zbatohen. Fokusin e vendosi tek formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, por si gjithmonë, duke harruar shkeljet e shumta që ka bërë Serbia, si në rastin e fundit me ndalimin e shtetasve të Kosovës.

“Çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe është një nga më thelbësoret dhe urgjentet. Bashkimi Europian, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, kemi qenë shumë të qartë me Kosovën për nevojën që kjo duhet zbatuar. Dështimi për të formuar asociacionin do të çojë në pasoja. E njëjta gjë vlen dhe për marrëveshjen e Ohrit. Përfaqësuesi i lartë dhe vendet anëtare e kanë bërë të qartë se progresi në implementimin e kësaj marrëveshjeje tani është I lidhur, në mënyrë të pashmangshme me progresin e Serbisë dhe Kosovës në rrugën e anëtarësimit në BE. Prandaj, nëse partnerët nuk përmbushin detyrimet e marra përsipër në marrëveshje, ata do të përballen me pasoja shumë serioze. Të vetmit që do të paguajnë do të jenë njerëzit, të cilët pretendojnë se po I mbrojnë apo veprojnë në interesin e tyre.”