Kreu i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut, Hristjian Mickoski konfirmoi zyrtarisht shumicën e re parlamentare.

Kreu i opozitës, Hristijan Mickoski bëri të ditur publikisht të shtunën (06.11.) shumicën e re parlamentare të formuar nga partia e tij VMRO-DPMNE dhe partnerët e koalicionit, Lëvizja Besa, Aleancën për Shqiptarët, Alternativa dhe Partia e Majta. “Shpresa për një të ardhme më të mirë fitoi në këto zgjedhje lokale. Këto zgjedhje ishin një referendum për këtë qeveri dhe politikat e saj. Njerëzit me të drejtë mendojnë se Zoran Zaev duhet të bjerë, sepse i tradhtoi pritjet e qytetarëve të Maqedonisë. Ai ka luajtur me dinjitetin e shtetit, derisa popullata po fundoset në varfëri. Kjo qeveri nuk ka kredibilitet pas disfatës në zgjedhjet e fundit. Pas zgjedhjeve në emër të qytetarëve, bashkë me kredibilitetin që na e dhanë qytetarët, u nisëm drejt krijimit të një shumice të re parlamentare si rrugë për rrëzimin e kësaj Qeverie. Kjo shumicë përbëhet nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, Lëvijza BESA, e Majta, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Thuhej se është e pamundur, por dëshmuam se bashkë mund të bëjmë shumë gjëra”, ka deklaruar Hristijan Mickoski.