Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xho Biden, vijon të mbajë të njëjtin qëndrim për sa i përket Kosovës në raport me Serbinë.

Në Ditën Kombëtare të Serbisë, Biden ka kërkuar që palët të vijojnë dialogun deri në njohje reciproke.

“Teksa kujtojmë 140 vite partneritet mes dy vendeve tona, e mbështetim pa lëkundje qëllimin e Serbisë për integrimin europian, si edhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, të përqendruar te njohja reciproke”, thuhet në mesazhin e kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Në lidhje me këtë qëndrim ka reaguar edhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

“Kam marrë një mesazh urimi nga Presidenti Biden. Faleminderit për urimet. Ndërsa sa i përket njohjes reciproke, kjo nuk figuron në asnjë akt të ndonjë organizate botërore.

Ne e kuptojmë se kjo është një politikë e re amerikane. Ka pasur përpjekje për të imponuar atë term si diçka që duhet ta pranojmë si zgjidhje përfundimtare në Uashington. Unë tashmë ua kam thënë një herë në fytyrë se çfarë mendoj për njohjen dhe përgjigja ime nuk do të jetë ndryshe”, ka thënë Vuçiç.