Qeveria dhe opozita ndahen thuajse për gjithçka në Shqipëri, por kur vjen puna për shkeljen e rregullave asgjë nuk i dallon nga njëra tjetra. Drejtues politikë të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike po vijojnë që t’i sfidojnë hapur ligjin duke vendosur partinë mbi jetën dhe shëndetin e qytetarëve në takimet elektorale që po zhvillojnë jo shumë larg zyrave të Kuvendit që miratoi rregullat e aktit normativ mbi masat kundër përhapjes së koronavirusit.

Nga dy krahët politikë, tashmë jo vetëm që nuk kanë frikë për jetën dhe respekt për atë që vetë kanë votuar, por duket se e kanë kthyer në “garë” me njëri tjetrin kush poston më shumë në rrjetet sociale nga takimet elektorale.

Nga një vëzhgim i thjeshtë mbrëmjen e sotme nuk ishte e vështirë për të kapur në shkelje Jorida Tabakun, Flamur Nokën dhe Grida Dumën në fushatën që po zhvillojnë në qarkun e Tiranës.

Flamur Noka në një video të postuar në Facebook i ka mbledhur njerëzit në një takim në Zall Herr në errësirë, pa distancë dhe duke thyer rregullin, që nuk duhet të jenë më shumë se 10 veta.

Sot me strukturat e PD te njësisë administrative Zall Herr ..Energjia elektrike mungon, por jo energjia dhe vendosmëria për një superfitore në 25 prill! Mungesa e përnatshme e dritave është vetëm një detaj i dështimit të Edi Ramës në 8 vjet.

https://youtube.com/watch?v=zdRcKz4nL6g%3Ffeature%3Doembed

Banorët e kësaj njesie administrative janë të harruar nga Rilindja  por  shpresëplotë në ndryshimin e shumepritur ..Asgjë nuk do të na ndalë deri në 25 prill për të marrë çdo votë që sjell ndryshimin! Në 25 prill humb Edi Rama, fiton Shqipëria” shkruan ai.

E njëjta gjë edhe me Jorida Tabakun. Sfidë e hapur. Ish-deputetja demokrate takimin e ka zhvilluar në një ambient shumë të vogël dhe pa maska e disatancë, grumbull.

Sonte në degën 2 takime me kryesinë dhe mbi të gjitha me të rinjtë e zotë dhe të talentuar të FRPD dega 2. Kënaqësi e veçantë ndërsa dëgjoja të shprehnin shqetësimet e tyre. Nuk është më habi që Rama dhe Veliaj janë shembulli tipik i dështimeve dhe turpit.

Janë dy persona që askush më nuk do t’i ngjajë dhe askush nuk do t’i imitojë. Të korruptuar! Arrogantë! Dhe të shkëputur nga shqetësimet e qytetarëve  të kësaj zone, të rinisë të kësaj zone edhe Shqipërisë. Së bashku për t’i rikthyer Shqipërinë në rrugën e duhur. Me PD, Shqipëria Fiton!” shkruan Tabaku.

Me birra përpara dhe të relaksuar një grup qytetarësh ndjekin Grida Dumën me kërshëri në Kavajë. Ish-deputetja ka publikuar fotot nga Luzi i Vogël në shkelje të rregullave, ndërsa takimin e cilëson mbresëlënës duke “harruar” koronavirusin.

Luz i Vogël në Kavajë! Mirëpritjen dhe vazhdimësinë e ka të madhe! Takim me frymën e plotë të fitores, ku qëndrestarët e përhershëm historikë janë në harmoni dhe mbështetje të brezit të ri, që e duan ta kenë në shtëpi, në Shqipëri! Takim mbresëlënës” shkruan ajo.

Nuk kishte si të mungonte edhe Elisa Spiropali, edhe pse për të nuk është gjë e re thyerja e masave anti-covid, pasi vijon që ta përsërisë për të disatën herë pa e vrarë mendjen. Në takimin e fundit ku ka marrë pjesë kanë qenë të pranishëm më shumë se 10 persona.

Por dalja kaq hapur nga të dy kampet të lë të kuptosh se apeli i kryeministrit Edi Rama sot paradite dhe kujdesi i Lulzim Bashës kur prezanton programin me maska e distancë mbeten vetëm propagandë.