Pas rritjes shqetësuese të ditëve të fundit të rasteve me COVID në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat duke kërkuar nga qytetarët të rrisin vigjilencën.

Rama deklaroi se javët e fundit ka pasur një rënie të angazhimit të qytetarëve në zbatimin e masave.

Ai bëri një apel të fortë edhe për tregtarët që të respektojnë masat dhe të jenë më të përgjegjshëm.

“Dua të përcjell një mesazh të qartë tek qytetarët, në kushtet kur po shohim një rritje të numrave të infektimve dhe kur kemi sinjale të arsyeshme mbi hyrjen në Shqipëri të varianteve të reja të virusit COVID19 dhe kur po rritet infektimi i moshave më të reja dhe po ulet mesatarja e moshës së të shtruarve në spitalet COVID, – u shpreh Rama. – Jemi të motivuar të bëjmë gjithçka që duhet që të mos detyrohemi të kthehemi tek masat e forta kufizuese. Është momenti për përgjegjësi maksimale nga qytetarët”.

Sipas Ramës, masat në fuqi janë efektive, por duhen zbatuar siç duhet nga qytetarët. “

“Në javët e fundit vihet re një rënie e angazhimit të qytetarëve, duke filluar nga vendosja e maskës, duke vazhduar me zbatimin e rregullave në njësitë tregtare dhe në lokale apo qoftë edhe nga politikanët, nuk kam parasysh vetëm kundërshtarët, por edhe PS. Kjo është e papërgjegjshme. Nëse nuk veprojmë, situata rrezikon seriozisht të vështirësohet”, tha Rama.