Pavarësisht mesazhit të fortë të ambasadores amerikane Yuri Kim që Tom Doshi të mos kandidojë në zgjedhje, mësohet se ky i fundit ka dorëzuar një kërkesë në KQZ për regjistrimin e tij për garën e 25 prillit.

ABC mëson prej KQZ-së se Doshi ka dorëzuar kërkesën në këtë institucino si kryetar i PSD-së me qëllim regjistrimin për zgjedhjet parlamentare.

Me anë të një statusi në Twitter, ambasadorja Kim riktheu deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili vendosi në “listën e zezë” deputetin e Partisë Social Demokrate, Tom Doshin.

Këtij të fundit iu refuzua viza për në SHBA në vitin 2018. Teksa ka shpërndarë deklaratën e vitit 2018, Kim shkruan se ia vlen të kujtohet njoftimi i DASH, duke shtuar se votuesit shqiptarë meritojnë më shumë se kaq.

“Ndërsa autoritetet zgjedhore të Shqipërisë përgatisin zgjedhjet, ia vlen të kujtohet ky paralajmërim i bërë nga Sekretari i Shtetit në SHBA-së pas shqyrtimit të kujdesshëm të informacionit. Me siguri, votuesit e Shqipërisë meritojnë më shumë,”-shkruan ajo.

Mbetet për t’u parë tani se cili do të jetë qendrimi i KQZ-së mbi kërkesën e tij.