Duke nisur që sot, pas një urdhri të ri, nuk do të lejohen më ushqime për pacientët e sëmurë në Spitalin Infektiv në Tiranë, i njohur si Covid 1.

Kështu, familjarët do mund të sjellin për të shtruarit vetëm veshmbathje dhe jo ushqime apo ujë të pijshëm.

Sipas familjarëve, të cilët prisnin sot në radhë të dërgonin ushqimet në spital për të afërmit e tyre, nuk dihet arsyeja e këtij vendimi.

Pak ditë më parë, në një konferencë për mediat të mbajtur bashkë me kryeministrin Rama, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u tha gazetarëve që sjellja e ushqimit për pacientët me Covid-19 kishte qenë kërkesë e vetë familjarëve.

Ministrja shtoi se shteti dhe sistemi shëndetësor mund ta ofrojë si shërbim, por shtoi se ishte kërkesë e familjarëve që u plotësua.

Sipas Manastirliut, familjarët janë lejuar që të sjellin ushqim për të sëmurët për t’u krijuar një lloj afrimiteti duke qenë se nuk i vizitojnë dot personalisht.

“Rregulli i përgjithshëm para pandemisë, është që nuk lejohen ushqime nga jashtë. Në spital merr dieta të caktuara kalorike. Është vendosur nga vetë mjekët, pandemia ka krijuar edhe një lloj gjendjeje jo të mirë emocionale. Kjo ishte një mënyrë për të qenë afër familjarit. Jo se spitali e shteti nuk i garanton, por sepse ka qenë një kërkesë e familjarëve që është pranuar”.

Me sa duket, është vendosur që ushqimi për të sëmurët me Covid të ofrohet nga shërbimet e spitalit.