Pamje të trishta vijnë nga fshati Limjan në Dibër, ku një e moshuar ka ndërruar jetë ndërsa ishte i pamundur dërgimi i saj në spital, për shkak të rrugëve të bllokuara nga dëbora.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, ndërsa në një video të publikuar shihen një grup të rinjsh të cilët mundohen të pastrojnë rrugën, për të bërë të mundur kalimin e makinës.
Ata fillojnë duke pastruar rrugën nga dëbora me lopata, ndërsa më pas shtyjnë makinën, por fatkeqësisht rruga e bllokuar nga trashësia e dëborës, nuk i ka lejuar të mbërrijnë në kohë në spital.
Fshati Limjan ndodhet vetëm 11 kilometra larg qytetit të Peshkopisë
Shqipëria këtë fundjavë u përball me një mot të acartë dhe reshje të dendura bore. Situatë më problematike, paraqitet në juglindje dhe verilindje të vendit, sidomos në zonat e thella malore, ku bora dhe ngricat kanë bllokuar kalimin e automjeteve.