Ish-drejtori i shërbimit të provës në Krujë Shkelzen Ypi është zyrtari i radhës ndaj të cilit është ngritur akuzë për shpërdorim detyre.

Me firmën e tij i janë servirur gjyqtares Enkeleida Hoxha rrethana të rreme ku garantohej se zyrat e shërbimit të provës ishin dakord me lirimin e tij dhe garantonin rehabilitimin.

Ky është rezultati i fundit hetimor sipas burimeve të TCh. Bazuar në hetime, janë ngritur dyshimet se pavarësisht arrestimeve të deritanishme, vendimmarrjet e gjyqtares janë kryer jo vetëm nën ndikimin e avokatit por të një vargu institucionesh ku secili prej tyre lehtësonte pozitën e një të dënuari.

Në vendimet e gjyqtares rezulton se për rastin e Endrit Dokles, Genci Tafilit dhe Hekuran Billës, shërbimi i provës konsideron se këta të dënuar kishin nevojë për risocializim.

Burgu i Fushë- Krujës i mbështeste sugjerimet duke i shpallur ata ‘të sjellshëm’.

Mjekët i raportonin të sëmurë apo edhe të afërmit e tyre me probleme shëndetësore.

Po ashtu edhe pushteti lokal firmoste  vërtetime për përbërjen familjare dhe përgjegjësinë që kishte i dënuari për t’i qëndruar pranë,  sikurse në rastin e Genc Tafilit dhe Endrit Dokles që deklarohen në shkresa me prindër të sëmurë

Nga këto çështje vetëm dy janë apeluar, ato të Endrit Dokles dhe Genc Tafilit.

Hetimi zbulon rastin, kur për prindërit e Genc Tafilit mjekët lëshojnë këtë vërtetim mjekësor. E njëjta skeme edhe për Hekuran Billën për të cilën burgu i Fushë Krujës e vlerëson maksimalisht për sjellje të mirë e po ashtu dhe me dy prindër të sëmurë për të cilët ai duhej të kujdesej

Ministria e Drejtësisë ka kallëzuar për skandalin e Hekuran Billës vetëm shërbimin e provës dhe asnjë nga sistemi penitenciar.