Njerëzit me aftësi të kufizuara intelektuale, që vuajnë nga Covid, nuk reanimohen në rast nevoje. Ky është realiteti shqetësues që po shfaqet në Britaninë e Madhe pas një denoncimi të “Mencap”, një shoqatë mbështetëse e kësaj kategorie, sipas së cilës, urdhri “Mos reanimo”, do të ishte dhënë në ambientet e kujdesit shëndetësor të Mbretërisë së Bashkuar gjatë valës së dytë të pandemisë.

Për njerëzit me aftësi ndryshe – Një praktikë e ndjekur, shkruan “The Guardian”, pavarësisht nga dënimi i një sjelljeje të tillë në vitin e kaluar dhe një hetimi të hapur për të.

“Mencap” thotë se mori disa raporte në janar në lidhje me njerëzit me aftësi të kufizuara intelektuale, për të cilët, nuk do të tentohet  të ndihmohen apo shtrohen në reanimacion nëse do të kontraktojnë Covid.

Komisioni i Cilësisë së Kujdesit – Në dhjetor, komisioni qeveritar i Cilësisë së Kujdesit, e deklaroi “të papërshtatshëm” urdhrin “Mos provo ringjalljen kardiopulomonare”, duke specifikuar se kjo praktikë kishte shkaktuar disa vdekje të mundshme të evitueshme vitin e kaluar.

‘DNACPR’, zakonisht zbatohet për njerëzit që janë shumë të dobët për të përfituar nga terapitë e reanimacionit, por “Mencap”, thotë se u është aplikuar pacientëve thjesht, sepse ata kishin një paaftësi mendore. Dhe Komisioni i Cilësisë së Kujdesit, së shpejti do të publikojë një raport mbi çështjen.

Fushata dhe përparësitë e vaksinimit – Zbulimi i sjelljeve të tilla në institucionet e kujdesit shëndetësor, ka dalë nga presioni i disa aktivistëve ndaj ministrive për të rishikuar vendimin për të mos i dhënë përparësi aftësisë së kufizuar intelektuale në fushatën e vaksinimit.

Në fakt, ka prova të qarta se edhe njerëzit me aftësi të kufizuara intelektuale të shkallës së mesme, janë më të rrezikuar nga vdekja nëse kontraktohen me koronavirus.

Personat me aftësi të kufizuara dhe vdekjet – Sipas Shërbimit Kombëtar të Shëndetit, në pesë javë, pas fillimit të bllokimit të tretë, 65% e vdekjeve midis personave me aftësi të kufizuara intelektuale, ishin për shkak të Covid, ndërsa mesatarja e popullsisë, arrin në 39%.

Gjithashtu, sipas “Public Health England”, mosha 18-34 vjeç me aftësi të kufizuara intelektuale, kanë 30 herë më shumë gjasa të vdesin nga Covid, sesa bashkëmoshatarët e tyre.

Denoncimi i “Mencap” – Trajtimi për këtë kategori njerëzish, është diskriminues, sipas “Mencap”, dhe shefi ekzekutiv i shoqatës, Edel Harris, denoncon: “Gjatë pandemisë, shumë njerëz me aftësi të kufizuara intelektuale u është dashur të përballen me trajtim diskriminues ndaj tyre dhe pengesa në qasje. Është e papranueshme, që një kategori njerëzish kaq e goditur nga virusi, të cilët edhe para Covid 19, humbnin jetën 20 vjet më herët se mesatarja e popullsisë, vihet në një pozicion të tillë të mungesës së kujdesit shëndetësor”.