Rastet e riinfektimeve me Covid 19 sa po vijnë e po shtohen, sidomos pas përhapjes së varianteve të reja të virusit në botë.

Një gjë të tillë e konfirmon edhe moderatorja e njohur për publikun, Fioralba Ponari, e cila ka pohuar se  është infektuar për herë të dytë me virusin e rrezikshëm.

Lajmin e bëri me dije vetë ajo ditën e djeshme, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku dhe ndau me të gjithë rezultatin e testit pozitiv.

Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit, moderatorja ka treguar dhe simptomat që po kalon.

E pyetur nga një ndjekës, nëse po e kalon më lehtë duke qenë se ka antitrupa, Fjoralba thotë: “Jo, kur ke Covid 2.0. Keq shumë kësaj radhe. Temperatura, mungesa e shijes apo kolla, paskan qenë lule krahasuar me dhimbjen e kockave që po heq kësaj radhe”, – pranon ajo.

Ndërkaq, moderatorja thekson se që nga koha kur zbuloi përmes testit serologjik se kishte antitrupa, kanë kaluar të paktën 7 muaj nga infektimi i parë.

Më tej, ajo zbuloi dhe simptomat që kuptoi se kishte rezultuar sërish pozitive.

“Tensioni i ulët (që nuk më ka ndodhur kurrë) dhe humbja e balancës (e justifikova me pagjumësinë dhe lodhjen në punë), më bënë të kisha dyshime, por prapë më dukej e vështirë, duke pasur parasysh që e kam kaluar dhe se sa e kujdesshme kam qenë. Pikat mbi “i” i vuri temperatura në darkë dhe dhimbja therëse e kockave”, – tregon Ponari.