Trajtimi me kalcifediol, metaboliti kryesor i vitaminës D3, uli ndjeshëm rrezikun e pranimit të ICU dhe vdekshmërisë te pacientët e shtruar në spital me Covid-19.

Kjo tregohet nga rezultatet e një studimi të ri, të kryer nga një ekip kërkimor spanjoll mbi një total prej 930 pacientësh të pranuar në njësitë Covid të Spitalit del Mar në Barcelonë, midis 1 marsit dhe 31 majit 2020.

Nga këta, 551 pacientë u trajtuan me kalcifediol, administruar nga goja pas pranimit në spital (dy kapsula 266 mg ditën e parë dhe doza pasuese të një kapsule 266 mg në ditën 3, 7, 15 dhe 30), ndërsa 379 pacientët e mbetur, nuk morën trajtim.

Vitamina D kundër infeksionit të koronavirusit

Sondazhi, që synonte të sqaronte efektivitetin e trajtimit në uljen e ashpërsisë së sëmundjes, tregoi se nga 551 pacientë të trajtuar, 30 (5.4%), kërkonin kujdes intensiv, krahasuar me 80 (21.1%) në 379 pacientë të patrajtuar.

Analiza statistikore, zbuloi gjithashtu ndryshime të konsiderueshme në aspektin e vdekshmërisë, me 36 pacientë (6.5%) që vdiqën, nga 551 të trajtuar me kalcifediol, krahasuar me 57 pacientë (15%), nga 379 të pa trajtuar.

Një shifër që, falë niveleve të vitaminës D, pavarësisht moshës, seksit dhe sëmundjeve shoqëruese, tregoi se trajtimi uli vdekshmërinë me më shumë se 60%.

Në përgjithësi, shpjegojnë autorët e studimit, “ne vërejtëm se te pacientët e shtruar me Covid, trajtimi me kalciferol uli nevojën për kujdes intensiv, me më shumë se 80%. Është gjithashtu e rëndësishme të nënvizohet – shtojnë studiuesit – se administrimi i hershëm, para zhvillimit të dështimit akut të frymëmarrjes (ARDS), është vendimtar në uljen e vdekshmërisë dhe se fillimi i trajtimit, pas pranimit në kujdesin intensiv, nuk ndryshoi mbijetesën e pacientëve”.

Të dhënat, të disponueshme në “Preprint with The Lancet”, gjithashtu konfirmojnë se mosha dhe mbipesha, janë faktorë shtesë të rrezikut.

Të dyja kushtet “shoqërohen me ashpërsinë e Covidit dhe rezultate të dobëta në studime të shumta, – tregojnë shkencëtarët, – dhe në të njëjtën kohë, janë faktorë rreziku të përcaktuar mirë për mungesën e vitaminës D”.

Prandaj, përfundojnë ata, rezultatet e këtij studimi, “tregojnë rëndësinë e një përcaktimi të menjëhershëm të  vitaminës D sa më shpejt të jetë e mundur, në kontekstin e infeksionit të koronavirusit Sars-Cov-2. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, pasi mungesa është e shpeshtë, por lehtësisht e korrigjueshme, megjithëse nevojiten studime të mëtejshme për të sqaruar efektet e niveleve të qarkullimit të vitaminës D dhe D3 në ashpërsinë e sëmundjes tek njerëzit me situata të ndryshme bazë, të vitaminës D”.