Presidenti Ilir Meta, i ka kujtuar deputetëve, që të reflektojnë për kthimin e ligjit nga ana e tij në Kuvend për rishqyrtim, i cili zgjat me 13 vite afatin e koncesionit të aeroportit “Nënë Tereza”.

Në një dalje për mediat, kreu i shtetit, tha se pas 25 prillit, vendi do të kthehet në “shina” dhe se çdo çështje që është në shkelje me ligjin, do të ndiqet me rigorozitet të plotë, pa asnjë amnisti.

“Kuvendi duhet të kërkojë vënien para përgjegjësisë të çdo funksionari publik që ka konsumuar shkeje të Kushtetutës dhe ligjit përgjatë procedurave të ndjekura, deri tek hartimi e nënshkrimi i kontratës dhe servirja për miratim me ligj të kësaj marëveshjeje shtesë koncesionare, që haptazi është në dëm të intersit publik, shtetëror dhe kombëtar, – u shpreh Meta. – I bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të reflektojnë me shumë përgjegjësi për këtë ligj dhe i paralajmëroj se gjithçka do mbahet shënim dhe nuk do të ketë kurrë amnisti, por vetëm drejtësi. Po u jap mundësinë deputetëve të reflektojnë e të përmbushin detyrimin.  Shpresoj që të ketë reflektim, sepse gjasat janë të pakta”, – shtoi Meta.