Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar për herë të parë pas publikimit të disa audio-regjistrimeve nga ngjarja tragjike e 21 janarit.

Provat e reja, pas publikimit të të cilave qeveria Rama i bëri thirrje SPAK-ut që të marrë në dorë dosjen, kryedemokrati i cilësoi si manipulime të kreut aktual të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Ardi Veliut.

Së pari që unë të komentoj manipulimet e Ardi Veliut harroje. Por, të them këtu se i takon mediave që t’i thonë të vërtetën e atij manipulimi. Nuk mund të komentoj unë, disa tabela shkrimi që paraqiten si audio-përgjim dhe që nuk ekzistojnë. U dëshmua qartësisht se është një manipulim dhe falsifikim njëlloj si shiriti i 21 janarit ku u tha se Sali Berisha ishte i implikuar në problemin e hidrocentralit. Është gjithçka krijesë e Ardi Veliut. Tani, theksoj dhe një herë se 21 janari përbën një nga ngjarjet më të tragjike. Përpjekjen për një grusht shteti nga ata të cilët unë i kam denoncuar me kohë. SHBA ka insistuar me të madhe në atë periudhë që të hetohen organizatorët dhe autorët e dhunës. Edi Rama është organizatori kryesor i dhunës. Nuk gjeti kurrë kurajo të paraqitej në prokuroi edhe pse u thirr për të dëshmuar,”u shpreh ndër të tjera Sali Berisha.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se është organizator kryesor i dhunës në ngjarjen që ndodhi 12 vite më parë në oborrin e kryeministrisë.

Ai i bëri thirrje kryeministrit që të heqë imunitetin dhe të dëshmojë “për organizimin e pucit.”

“I solli njerëzit si mish për top. Natyrisht, ngjarja është tragjike. Atëherë dhe sot familjarët kanë ngushëllimet e mia. Por manipulimi që bën Edi Rama se donte të vinte në pushtet është makabritet.”

Nga ana tjetër, PS-ja qeverisëse ka përsëritur se ajo e 21 janarit ishte dhunë shtetërore ndërsa i kanë bërë thirrje SPAK-ut që të bëjë një hetim gjithëpërfshirës për të vënë drejtësinë në vend.