Në një aktivitet të zhvilluar në kuadër të platformës “Deputeti që duam”, kryeministri Edi Rama tha se mandati i dytë ‘u thye në mes nga tërmeti dhe pandemia, prandaj i duhet një mandat i tretë.

“Kjo do tregojë nëse do ecim apo të të ngecim në gropën e asaj politike që na çoi në humnerë. Kemi bërë shumë, shumë më shumë se ata që e kishin këtë detyrë para nesh por s’kemi bërë sa duhet, pasi ky mandat u thye në mes nga tërmeti dhe pandemia”.

“Nuk jemi kursyer në përpjekjet tona asnjë ditë. Unë vetë kam bërë çmos në krye të të gjitha përpjekjeve duke vënë mishin dhe shpirtin në këtë detyrë për ta merituar nderin që më keni bërë me besimin që më keni dhënë. Grupi jonë me profile të reja, për çdo rol”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se në platformën ‘Deputeti që Duam’ kanë aplikuar 1581 qytetarë nga çdo fushë e jetës.

“Për ndeshjen e 25 prillit kemi ndërtuar një proces të ri, duke hapur derën për të gjithë ata që kanë ambicie për të na u bashkuar në skuadrën. Kemi pasur 1581 aplikime nga i gjithë vendi, qytetarë të çdo fushe të jetës. Procesi ka kaluar në disa etapa. Jam i kënaqur që të takojë disa prej tyre që do i bashkohen skuadrës tonë. Kam dy kolegë që kur ishin të rinj, u bënë pjesë e skuadrës kombëtare. Erdhën nga dy rrugë të ndryshme për t’u bërë pjesë e rrugës tonë të përbashkët. Taulant Balla dhe Erion Veliaj janë me mua këtu. Taulanti është dhe për një arsye tjetër për hapjen dhe përzgjedhjes së anëtarëve të skuadrës sonë” – tha Rama, teksa prezantoi kandidatët për deputetë.