Në fjalën e mbajtur në seancën plenare në Kuvend, deputetja Rudina Hajdari ka treguar për një vizitë të saj në qytetin e Elbasanit, ku theksoi se tregtarët punojnë me frikë se i gjobit policia.

Ajo u shpreh se në të njëjtën kohë, shitësit e lëndëve narkotike kanë leje dhe qarkullojnë me makina luksoze.

“Para disa ditësh isha në Elbasan dhe është për të vënë kujën se si ndërtesa ku shitej bulmeti, ishte thënë se do mbyllej për një muaj, për arsye rikonstruksioni dhe sot do bëhen 5 vjet që ajo markatë është e mbyllur, – tha deputetja e Parlamentit. – E kuptoni çfarë bëhet?! Sot në Shqipëri është më kollaj të shesësh drogë, heroinë e kokainë, se sa të shesësh bulmet, gjizë, djathë. E kupton çfarë bëhet?! Shitësit e kokainës kanë edhe leje, qarkullojnë me makina luksoze, ndërsa tregtari shet fshehurazi bulmetin me frikën se policia po vjen po gjobit”.

Hajdari akuzoi PS-në, PD-në dhe LSI-në, se grinden vetëm kur u prishen pazaret dhe nuk kanë parime apo vizione të ndryshme për qeverisjen.

“Të nderuar shqiptarë, këta kur zihen me njëri-tjetrin, nuk e bëjnë se kanë parime të ndryshme, se kanë vizione të ndryshme, kur ju ziheni, ju prishet pazari. Bërtisni dhe ulërini, digjni edhe vendin, vetëm për pazaret tuaja. Në momentin që merrni pjesën tuaj, heshtni”, – shtoi ajo.