Nga Durrësi, Presidenti Ilir Meta parlajmëroi se kush prek votën e shqiptarëve në 25 prill do të marrë përgjigjen e merituar nga sovrani.

“Kushdo, që përpiqet të vërë dorë mbi votën e lirë praktikisht ka provokuar sovranin dhe duhet të presë të gjitha pasojat prej tij. Unë jam këtu për t’i dhënë një mesazh edhe të gjithë shoqërisë civile të bashkëpunojë dhe të angazhohet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të monitorojnë dhe t’iu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të votojnë, sepse kjo është shumë e rëndësishme”, tha Meta.

Edhe njëherë, 25 prillin e quajti referendum për të rivendosur në funksion rendin kushtetues.

“Ndaj është momenti, që 25 prilli të jetë një ditë referendumi për të vendosur shenjtërinë e votës në këtë vend, në mënyrë, që si vota e Presidentit, si e qytetarit më të thjeshtë të jetë përfundimisht e barabartë.

Më 25 prill kemi një mundësi historike të rivendosim në funksion rendin kushtetues, shtetin e së drejtës dhe njëkohësisht të garantojmë fuqinë e qytetarit mbi pushtetin, mbi të zgjedhurin dhe t’i kthejmë këta në shërbim të tyre”, u shpreh Meta.

Njëherazi ftoi qytetarët që të marrin pjesë në votime.