Ish-nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Fatlum Nurja është befasuar kur ka parë sot në mëngjes se emri i tij ka qenë i përfshirë në listën e FRD si kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Në një reagim në “Facebook”, ai ka deklaruar se është përfshirë në listat e FRD-së edhe pse ai vetë ka refuzuar që të marrë pjesë, ndërsa thotë se nuk ka firmosur asnjë formular të tillë.

Por, Nurja mes emrave të listave për kandidat, ka gjetur edhe emrin e tij. “Guxim i tepruar kushdo që e ka bërë dhe më jep një ndjenjë neverie”, shkruan ai.

Gjithashtu Nurja ka publikuar edhe foton, ku ngre shqetësim për këtë përfshirjen pa asnjë konfirmim nga vetë ai.

Postimi i plotë

Mbrëmë fjeta herët, e sot në mëngjes pashë këtë listë që ma kishte dërguar një mik pas mesnate. Deklaroj që nuk i kam kërkuar FRD-së diçka të tillë, përveç se kam refuzuar (dhe kuptohet) si dhe minimumi nuk kam firmos as ndonjë formular tip për të tilla raste…

Guxim i tepruar kushdo që e ka bërë dhe më jep një ndjenjë neverije. Jam i vetëdijshëm se eksperiencat e personave që do të jenë deputet…dhe më gjerë…do ia dalin të bëjnë mrekulli për qytetin, shtetin dhe Kombin tonë.

Por, gjithashtu jam shpresëplotë se estrada e Parlamentit ka me vazhdu.