Të hënën pritet të mbërrijë në Shqipëri sasia e radhës me dozat e vaksinave kundër koronavirusit, nga kompania “Pfizer”.

Lajmin e ka dhënë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në një takim që zhvilloi me mjekë të “Infektivit”, në 1-vjetorin e pandemisë në vend.

“Unë jam e kënaqur që brenda kësaj jave përfundojmë vaksinimin e ekipeve tona mjekësore, infiermierore dhe ky është një hap drejt fitores ndaj virusit por nuk është mjaftueshëm sepse në fakt e gjithë popullata, sidomos ata të cilët janë grupe prioritare, do të vijojnë vaksinimin, ashtu sikurse ne jemi duke bërë.

Më shumë se 20 mijë vaksinime janë kryer deri tani, presim të hënën të vijnë dozat e tjera të kontratës së Pfizer, për të vijuar vaksinimet e të gjithë personelit dhe të moshuarve që tashmë i kemi kryer me dozën e parë. Presim nga COVAX të vijnë dozat e vaksinës AstraZeneca dhe do të njoftohemi besoj në një moment të shpejtë për datën e mbërritjes së 14,400 vaksinave nga instrumenti COVAX”, tha Manastirliu.

Duke folur për masat për përballimin e pandemisë, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh:

“Kemi ende shumë për të bërë, por fakti që sot kemi më shumë kapacitete të shtuara në terapitë intensive, më shumë kapacitete respiratore, kemi rreth 507 respiratorë, pajisje jetëshpëtuese, pra kemi një flotë të aparatuarve, e cila krijon komoditetin mbi të gjitha për ju, për të ofruar shërbim dhe kujdes shëndetësor cilësor, është një hap më shumë drejt epërsisë ndaj virusit, sepse padyshim fitorja kërkon akoma më shumë punë, akoma më shumë sakrificë dhe mbi të gjitha kërkon bashkëpunimin e qytetarëve”, tha Manastirliu.

Mjekët dhe infermierët e Spitalit Infektiv u shprehën se sot janë profesionalisht më të përgatitur në përballjen me COVID19 dhe kërkuan bashkëpunimin e qytetarëve për ta çuar luftën deri në fund.

Që prej fillimit të pandemisë në vend janë shënuar 113,580 raste pozitive, 1956 humbje jete, ndërsa 75,887 qytetarë e kanë fituar betejën me virusin e rrezikshëm. Aktualisht në vendin tonë janë 35,737 raste aktive me COVID19.