Qeveria ka miratuar një Akt Normativ përmes të cilit i jep të drejtën ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj që të negociojë krahas Ministrisë së Shëndetësisë për gjetjen e vaksinave kundër koronavirusit.

“Dhënien e autorizimit ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anticovid, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre”, thuhet në Aktin Normativ.

Ndërkohë, mënyra se si është formuluar Akti Normativ le të hapur rrugën për blerjen e vaksinave nga Rusia dhe Kina.

Në emërtimin e Aktit Normativ theksohet se Ahmetaj autorizohet të negociojë me të gjitha kompanitë, vaksinat e të cilave janë certifikuar nga agjenci certifikimi lokale. Vaksina ruse “SputnikV” dhe ajo kineze janë certifikuar tashmë dhe rrjedhimisht duket se do të jenë objekt i negociatave nga ministria e drejtuar për Ahmetajt, krahas ministrisë së Shendetësisë.

Vendimi

AKT NORMATIV

PËR

DHËNIEN E AUTORIZIMIT MINISTRIT TË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE DHE MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE ME PRODHUESIT, ME DISTRIBUTORË TË AUTORIZUAR, ME QEVERITË OSE INSTITUCIONET E AUTORIZUARA PREJ TYRE, TË VENDEVE QË PRODHOJNË OSE DISTRIBUOJNË VAKSINA ANTICOVID, PËR TË SIGURUAR KËTO VAKSINA, TË CILAT JANË TË CERTIFIKUARA NGA TRUPA CERTIFIKUESE NË VENDIN E PRODHIMIT TË TYRE

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Dhënie autorizimi për zhvillimin e negociatave

Dhënien e autorizimit ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anticovid, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre.

Neni 2

Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA