Shqipëria do të marrë vaksina kineze përmes Turqisë. Qeveria shqiptare ka nënshkruar marrëveshjen me distributorin turk “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret” A.Ş., sipas të cilës, Shqipëria do të përfitojë vaksinat kundër COVID, të prodhuara në Kinë.

Marrëveshja mban firmën e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj. Vendimi për miratimin e kësaj marrëveshje nga qeveria shqiptare është botuar ditën e sotme në fletoren zyrtare. Palët kanë rënë dakord që marrëveshja do të jetë sekrete, ndaj ajo nuk do të publikohet në asnjë website të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare.

Rreth një javë më parë qeveria shqiptare i dha dritën jeshile përdorimit të vaksinave ruse por edhe atyre kineze, duke publikuar në fletoren zyrtare akti normativ, i cili ndryshon procedurat për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anticovid në Shqipëri për përdorimin e tyre në popullatë.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se të gjitha rrugët po shqyrtohen duke mos pranuar që të japë më shumë informacion. Ministrja nënvizoi se Komiteti i Imunizimit ka dhënë garancinë për përdorimin e vaksinave. Ndërkohë një ditë më parë, në vendin tonë mbërritën 10 mijë doza të vaksinës ruse Sputnik, dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.