Nga Linda Karadaku

Shpërndarja e vaksinave kundër Covid 19, aq sa është këmbanë shpëtimi kundër kësaj pandemie, paraqet në të njëjtën kohë rreziqe korrupsioni që kanë të bëjnë me futjen e vaksinave nën standard dhe të falsifikuara në tregje, vjedhje të vaksinave brenda sistemeve të shpërndarjes, rrjedhje të fondeve emergjente të përcaktuara për zhvillimin dhe shpërndarjen e vaksinave, nepotizëm, favorizim dhe sisteme të korruptuara të prokurimit.

UNDOC, organizata e OKB-së për Drogat dhe Krimin, thotë se disa vendeve, shpesh iu është dashur të nënshkruajnë deklarata konfidencialiteti si pjesë e marrëveshjeve të tyre për të siguruar vaksinën.

Po kështu, procesi i prokurimit publik përbën një nga rreziqet më të mëdha për korrupsion midis të gjitha funksioneve të qeverisë. Skandalet e korrupsionit në prokurim janë të përhapura, por në sektorin e kujdesit shëndetësor, prokurimi i produkteve farmaceutike dhe mjekësore janë veçanërisht të prirur ndaj korrupsionit.

Rreziqet e korrupsionit mund të gjenden gjatë gjithë ciklit të prokurimit. Gjatë fazës së tenderit paraprak, rreziqet e korrupsionit përfshijnë vlerësimin e pasaktë të kërkesës për një produkt ose shërbim të veçantë, shmangien e procedurave të tenderit dhe përshtatjen e qëllimshme të dokumenteve të tenderit për të favorizuar një ofertues të veçantë.

Në një krizë të shëndetit publik, rreziqet e korrupsionit në prokurim bëhen edhe më të mëdha për shkak të urgjencës për medikamente, pajisje dhe së fundmi, vaksina, aq më tepër kur kërkohet fleksibilitet dhe shpejtësi.

Një nga rastet më të fundit në rajon, është ai i Maqedonisë së Veriut, ku kryetarja e Komisionit Antikorrupsion Biljana Ivanovska, konfirmoi këtë muaj se para se të fillonin një hetim zyrtar mbi problemet e vaksinave COVID nga qeveria e vendit, kishin filluar mbledhjen e informacionit mbi rastin për të cilin akuzohet Ministri i Shëndetësisë Venko Filipce. Filipçe ishte përpjekur të siguronte vaksinat kineze përmes një firme ndërmjetësuese të diskutueshme. Ivanovska këmbënguli që të gjitha akuzat për keqbërje duhet të hetohen, pasi përfshirja e firmave ndërmjetëse në marrëveshjet e bëra zakonisht midis qeverive lë të hapur mundësinë për keqpërdorim dhe korrupsion.

Gazeta italiane “La Verita” raportoi po këtë muaj se Filipçe kishte punësuar firmën “fantazmë”, Strabi International Services Co., për të shërbyer si ndërmjetëse për prokurimin e planifikuar të 200,000 dozave të vaksinës kineze SinoPharm. Sipas La Verita, vendimi për të përfshirë këtë kompani guaskë shkatërroi marrëveshjen dhe bëri që SinoPharm të tërhiqej, duke e lënë Maqedoninë e Veriut përsëri pa vaksinat e nevojshme.

Të dhëna e nxjerra në Panama Papers tregojnë se Strabi International Services Co., është një firmë e regjistruar në shtetin ishull të Samoas dhe me lidhje me Hong Kongun. La Verita raportoi se të dhënat e disponueshme sugjerojnë se kjo firmë nuk kishte përvojë paraprake në prokurimin mjekësor.

Gazeta publikoi gjithashtu dy dokumente zyrtare të nënshkruara nga Filipçe, për të cilat tha se hedhin më shumë dritë në kontekstin e rastit. Në të parën, të datës 25 dhjetor 2020, Filipce shprehu interes për të blerë vaksinën, duke thënë: “Ne me këtë autorizojmë Strabi International Services Co. që të koordinojë procedurat e mundshme”.

Në të dytën, të datës 25 janar 2021, ministri i shkruan SinoPharm për t’i thënë se Maqedonia e Veriut është e gatshme të përjashtojë SinoPharm nga çdo pasojë e padëshiruar që mund të ndodhë nga përdorimi i vaksinës.

Filipce pranoi se korrespondenca e botuar ishte autentike, por hodhi poshtë pretendimet se marrëveshja ishte bërë në mënyrë që ai të përfitonte. Ministri nguli këmbë se kishte angazhuar firmën ndërmjetëse për të shpejtuar prokurimin e vaksinave përmes “mënyrave alternative”.

“Pra, gjetëm një mënyrë për të shpejtuar procesin e prokurimit të vaksinave. Sidoqoftë, autoritetet kineze na thanë që ne duhet të ndjekim mënyrën e rregullt, atë që ne fillimisht provuam, por fatkeqësisht pa rezultate… Ne e respektuam këtë këshillë,” tha Filipce.

Ai tha se kjo ishte arsyeja pse kinezët pastaj kthyen paradhënien për vaksinat në fund të shkurtit, duke këmbëngulur që marrëveshjet e ardhshme të bëhen me shtetin, me të cilin bisedimet vazhdojnë.

Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski bëri thirrje për një hetim të plotë të akuzave, duke këmbëngulur që ato që ishin shkruar në media dhe në rrjetet sociale “duhet të merren seriozisht”.

Që nga fillimi i vitit, Maqedonia e Veriut ishte përpjekur të siguronte pa ndonjë sukses të dukshëm sasi të mëdha të vaksinave  kundër COVID-19, pasi u bë e qartë se dërgesat e rregulluara përmes mekanizmit COVAX, në të cilën fillimisht u mbështet qeveria, do të vonoheshin. Deri më tani, ka marrë vetëm 8,000 doza nga Serbia, plus 3,000 vaksina ruse. Sasi më të mëdha, sipas njoftimeve të qeverisë, priten në fund të marsit.

Për disa vende të Ballkanit Perëndimor, sistemi COVAX pritej të ishte mënyra e vetme për prokurimin e vaksinave. Por vonesat bënë që një pjesë e mirë e tyre të kthejnë sytë nga Rusia dhe Kina.

Mali i Zi kishte rënë dakord të paguante 646,000 euro për 248,800 doza, të mjaftueshme për 20 përqind të popullsisë. Ministri i shëndetësisë në atë kohë, Kenan Hrapoviç, kishte thënë se iniciativa COVAX ishte “opsioni më i favorshëm për të gjitha vendet më pak të zhvilluara dhe vendet në tranzicion, përfshirë Malin e Zi, për sa i përket prokurimit të vaksinës për COVID-19, sepse siguronte një shkallë të lartë të sigurisë dhe transparencës. ”  Por mijëra vaksina ruse dhe kineze, si donacione, erdhën shumë më parë se KOVAX.

Kosova ishte gjithashtu pjesë e iniciativës COVAX dhe ishte i fundmi i mohikanëve në pritje të këtyre vaksinave.  Edhe pse kryeministri Rama kishte premtuar vaksina për Kosovën, oferta e fundit ishte që mjekët e Kosovës të shkonin për tu vaksinuar në Kukës.

Në Shqipëri, autoritetet vazhdojnë vaksinimin me Astra Zeneka, pavarësisht nga ndalimet e bëra në disa vende evropiane.

Serbia ishte vendi i parë në rajon që futi vaksinat ruse dhe kineze.

Ne negociojmë me të gjithë të tjerët të cilët gjithashtu mund të sigurojnë vaksinën, pasi kemi nevojë për sasi shumë më të mëdha.”

Vuçiç përshëndeti dërgesën e vaksinës nga Kina, duke thënë se ai ishte “pafundësisht mirënjohës” për “përparimin e madh” në marrëdhëniet e vendit të tij me Kinën, dhe duke theksuar projekte të reja investimi. Dhe projektet erdhën më shpejt sesa pritej. Serbia do të jetë vendi i parë europian që do të prodhojë vaksinën kineze Sinofarm, përmes një bashkëfinancimi me Kinën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Prodhimi i vaksinës do të nisë nga 15 tetori. Dhe projekti I rradhës, vaksina ruse. Serbia mund të ketë kapacitete për të prodhuar vaksinën ruse Sputnik deri në fund të këtij viti, deklaroi ministri serb pa portofol Nenad Popoviç. Ai i bëri deklaratat pas një takimi me një grup ekspertësh nga Rusia, të cilët vizituan Beogradin për të analizuar kapacitetet e këtij vendi për të prodhuar vaksinën.

Nën programin shtetëror të vaksinimit, serbët mund të zgjedhin nëse dëshirojnë të vaksinohen me Pfizer/BioNTech, Sinopharm, apo Sputnik.  Siç kishte ndodhur edhe më parë, Kina dhe Rusia kishin hyrë tashmë në rajon përmes derës serbe të vaksinave, Sinofarm dhe Sputnik po shpërndaheshin si dhurata në vendet e rajonit përmes Beogradit.

Kosova dhe Shqipëria nuk kishin treguar ndonjë optimizëm për vaksinën ruse dhe kineze. Ambasada ruse në Shqipëri i ofroi qeverisë shqiptare që të negocionte me autoritetet ruse për të blerë Sputnikun. Ambasada ruse iu përgjigj një postimi në twiter të këshilltarit të kryeministrit, Endri Fuga, në të cilin ai ankohej për politikën e BE ndaj Ballkanit Perëndimor.

 “I dashur Z. Endri Fuga, ne do të dëshironim të ju informonim se Fondi Rus i Investimeve Direkte është i autorizuar të negociojë me vendet që janë të interesuara të blejnë vaksina kundër COVID-19. Ne nuk kemi dyshim se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” edhe në Shqipëri “.

Kryeministri Rama e quajti ofertën ruse provokim, por vetëm pak javë më vonë,  nga Brukseli, ku ndodhej për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim Asocimit BE- Shqipëri, la të kuptohej qartë se po sheh edhe për mundësi të tjera vaksinash.

“Edhe pse nuk qe zgjedhja jonë më e mirë, po shohim përtej burimeve tashmë të dëshirueshme të vaksinave”.

I pyetur nëse kishin nisur kontakte konkrete për vaksina kineze apo ruse, kryeministri nuk e mohoi duke thënë: “Do më lejoni të mos bëj asnjë koment”.

Shqipëria vazhdon fushatën e vaksinimit me Pfizer & BioNTech, Astrazeneca, por një vendim i fundit i qeverisë i hap rrugën përdorimit të vaksinave ruse dhe kineze. Një akt normativ, i cili ndryshon procedurat për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anticovid në Shqipëri, i hap derën jo vetëm vaksinave të miratuara nga agjencia amerikane dhe europiane e barnave, por edhe vaksinave që janë miratuar nga vende që prodhojnë vaksina anti-covid-19.