Kryeminstri Edi Rama informoi sot nga Stambolli se janë siguruar 1 milion vaksina pa specifikuar se çfarë prodhimi janë. Megjithatë burime jozyrtare thonë se bëhet fjalë për vaksinën kineze Sinovac, blerë në Turqi nga një kompani private e atjeshme. Termat e blerjes, çmimi dhe afatet nuk janë të qarta.

Gjithsesi Rama thotë se brenda 60 ditësh vijnë 500 mijë vaksina kurse sot mbërrijnë 192 mijë.

Kjo sasi rrit shanset që të mund të fillojë vaksinimi masiv i popullsisë. Parashikohet që javën që vjen, të vaksinohen pensionistët mbi 65 vjeç.

Këto 1 milion vaksina mendohet të vlejnë për të vaksinuar 500 mijë shtetas.

Rama ishte sot në Stamboll ku u nënshkrua marrëveshja, pasi për vaksinat kineze doli garant Turqia.

Shqipëria deri tani ka vijuar procesin e vaksinimit me vaksinat Pfizer, Astrazeneca. Po ashtu mbërritën edhe 10 mijë doza vaksinash ruse si dhuratë e Emirateve të Bashkuara Arabe.