Fushatat elektorale në Shqipëri përgjithësisht karakterizohen nga një gjuhë e ashpër e shpesh provokuese, e nuk mungojnë dhe incidentet. Për të tërhequr vëmendjen për shmangien e përsëritjes së këtyre fenomeneve, sot ndërsa nis zyrtarisht fushata për garën elektorale të 25 prillit, Delegacioni i BE në Tiranë doli me një deklaratë të përbashkët që u drejtohet së parti drejtuesve të partive.

“E njëjta frymë duhet të frymëzojë një fushatë elektorale që bazohet në respekt të ndërsjellë, dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe zhvillohet në një mënyrë paqësore, pa retorikë provokuese apo gjuhë urrejtjeje.”

https://youtube.com/watch?v=foozG_h542k%3Ffeature%3Doembed

Qytetarëve, shefi i Delegacionit Luigi Soreka dhe ambasadorët e tjerë të vendeve të BE, kërkon që t’u komunikohen programet.

“Nisja e fushatës zyrtare është rasti që partitë politike dhe kandidatët t’i përqendrojnë debatet e tyre te programet përkatëse politike dhe reformat që synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve.”

Një muaj para se shqiptarët t’u drejtohen kutive të votimit, një apel nga ambasadorët shkon për pranimin e rezultatit në fund.

 “Zgjedhjet transparente, gjithëpërfshirëse, të lira dhe të ndershme, si dhe respektimi i rezultatit të tyre, janë të rëndësishme për të siguruar legjitimitetin e Asamblesë dhe qeverisë së re.”

Përveç misioneve vëzhguese, ditën e zgjedhjeve në terren, në qendrat e votimeve do të jenë dhe Delegacioni i BE-së dhe ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së në Shqipëri.