Vazhdojnë pikëpyetjet mbi të ardhmen e Paulo Dybalës. Sulmuesi i Juventusit ende nuk ka vendosur nëse do të qëndrojë apo jo tek bardhezinjtë, ndërkohë që kontrata i përfundon në vitin 2022.

Drejtuesit torinezë i ofruan atij largimin, por argjentinasi nuk pranoi si opsion. Nga ana tjetër ai nuk pranon as rinovimin, duke krijuar një situatë jonormale. Pak a shumë të njëjtat gjëra mund të themi dhe për sulmuesin e Barcelonës, Ousmane Dembele.

As francezi nuk është i sigurtë në vendimin e tij, por sipas raportimit të “Tuttosport” zgjidhja mund të jetë një tjetër. Gazeta italiane shkruan se një vit pas shkëmbimit të Arthur me Pjanic, mund të kemi një tjetër shkëmbim mes klubeve. Ende nuk ka asgjë konkrete, por gjithçka mbetet për t’u zbuluar gjatë verës.