Dy armët tip kallashnikovë me të cilat u qëllua për vdekje ish polici Santjago Malko dyshohet të jenë blerë nga anëtarë të klanit “Duka”, në një nga 20 bazat e armëve që policia zbuloi ditët e fundit në kryeqytet.

Për të faktuar dyshimet nga Policia e Tiranës dhe prokurorët e SPAK, grupi hetimor do t’i dërgojë armët për ekspertizë balistike në një laborator më të specializuar në Kosovë.

Bazat e armëve u zbuluan pas arrestimit të Ermond dhe Enver Jamakut që me porosi të Gjergj Cukalit, shpërthyen me tritol makinën e Gjon Menës në Kamëz. Enver Jamaku bashkëpunoi me prokurorinë duke zbardhur edhe tre ngjarje të tjera kriminale ku ata kishin marrë pjesë. Ai u ka kërkuar hetuesve një celular dhe nëpërmjet aplikacionit Google Maps, u ka treguar saktësisht vendin se ku ndodhej baza e armëve, e cila u sekuestrua të shtunën. Magazina është në pronësi të 43-vjeçarit Sokol Xhura, i cili vijon të jetë ende në kërkim pasi i shpëtoi arrestimit të 1 prillit, ku u zbuluan 18 bazat e para të modifikimit dhe magazinimit të armëve dhe muncioneve.

Madje, për të përforcuar dëshminë e tij, Enver Jamaku i ka treguar hetuesve se një numër të konsidetrueshëm armësh, i ka futur vetë në këtë depo, si dhe ka marrë pjesë në modifikimin e magazinës.

Pas zbulimit të këtyre depove, policia nisi menjëherë hetimet për të zbuluar se kush grupe kriminale i kanë blerë armët dhe nëse ato janë përdorur në atentate të ndryshme.