Mjeku shqiptar në Londër Luan Shapo, foli në “Radari Informativ” për situatën epidemiologjike në  vendin tonë si edhe lirimin e masave anti-Covid në Britaninë e Madhe.

“Entuziazmi vjen nga rezultatet dhe nga mbyllja e gjatë. Pas tre muajsh hapja u bë bazuar në disa hapa. Benefiti i lockdown nuk duhet marrë i njëanshëm, sepse duhet marrë në konsideratë se si u bë ky lockdown. Theksoj se në të njëjtën kohë vijoi edhe vaksinimi masiv. Të mos harrojmë që janë aplikuar mbi 32 milion vaksina me një dozë”, tha mjeku Shapo.

Ndërsa sa i përket situatës së koronavirusit në Shqipëri ai theksoi se shifrat janë të mbara.

“Imuniteti natyror në Shqipëri ka përparuar, por nuk besoj se është arritur imuniteti i tufës. Por do të thoja se siç është vazhduar me dy doza tek personeli shëndetësor ashtu të vijohet edhe me grupet e tjera të riskut. Duhet të operohet me dozën e dytë sa të munden dhe aty ku munden”, tha Shapo.

Ai gjithashtu u shpreh se vera në Shqipëri, pritet të jetë më e lehtësuar.

Më tej gjatë intervistës me gazetaren Jonida Shehu, ai u shpreh se tashmë në Britani po i jepet përparësi aplikimit me dy doza, ndërsa theksoi se pavarësisht një ngadalësimi për shkak të AstraZeneca, procesi i vaksinimit ka vijuar me prioritet.

Shapo tha se nga 17 maji synohet që hapja në Britani të bëhet më e plotë.

“Nga 17 maji pritet që hapja të bëhet më e plotë dhe aty do të shikojmë se sa shumë do të ketë ndërveprim njerëzor. Aty ku punoj ka një rritje të raste me variantit jug-afrikan dhe tani rastet po ndiqen shtëpi me shtëpi. Ky variant tenton t’i dredhojë si imunitetit natyral si vaksinës”, tha ai.

Sa i përket sjelljes së virusit në vende të ndryshme evropiane i tha se mbylljet kanë qenë të pjesshme duke shtuar se kjo i ka dhënë mundësi varianteve të reja të përhapen.

Po ashtu ai theksoi se vaksinimet kanë ecur shumë ngadalë në krahasim me Britanisë.