Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim ka bërë thirrje që të gjithë personat e përfshirë në përplasjen me armë në Elbasan një ditë më parë, të ndëshkohen sipas ligjit.

Pas takimit me kreun e KQZ Ilirjan Celibashi, në një komunikim me gazetarët, Kim tha se grupe të armatosura që mbronin votat e qytetarëve janë pjesë e të shkuarës dhe sot nuk duhet të përsëriten të njëjtat gjëra.

Ambasadorja amerikane ka falenduar Kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha për thirrjen e tyre për qetësi dhe që qytetarët të dalin në votime më 25 Prill.

“Ka një proces transparent që është i krijuar dhe autoritetet janë të qarta për mbrojtjen e votës. Miqtë tuaj nga bashkësia ndërkombëtare janë këtu për t’ju sigutruar për këtë proces. ODIHR dhe ekspertët janë tashmë në terren dhe unë do jem pjesë e njërit nga 25 ekipeve të ambasadës së SHBA dhe do të kemi mundësi të ndodhemi në të gjithë vendin për të qenë me ju.

Shkelësit të mund të kapen, të gjithë personat përgjegjës të ndëshkohen pa përjashtimin, askush nuk është mbi ligjin. Zgjedhjet e 25 Prillit kanë lidhje me të ardhmen. Gjërat të tilla sikurse kanë ndodhur në të shkuarën që kanë qenë grupe të armatosura për të mbrojtur votën e qytetarëve është e rëndësishme që këto të mbeten në të shkuarën. Kjo është diçka e papranueshme e një vendi anëtari të NATO-s. Është përgjegjësi e liderëve që të bëjnë thirrje për qetësi për t’u siguruar që të ketë qetësi. Po monitorojmë me kujdes të gjtha veprimet e liderëve. Dua të falenderoj Kryeministrin Rama dhe kryetarin e PD Basha që kanë bërë thirrje për qetësi, si dhe të votohet në 25 Prill. Ne jemi me ju”, tha ambasadorja e SHBA Yuri Kim.

Ndërsa ambasadori i delegacionit të BE, i cili ishte i pranishëm në të njëjtin takim me komisionerin Celibashi, theksoi se Bashkimi Europian po monitoron nga afër të gjithë procesin.

“Kemi ardhur të diskutonim me z.Celibashi situatën në lidhje me përgatitjet e zgjedhjeve të 25 Prillit. Komisioneri na tregoi për situatën deri më tani, për të gjitha përgatitje. Na foli edhe për përgatitjet për identifikimin biometik dhe votimin elektronik. Europa po ndjek nga afër gjithçka do ndodhë në Tiranë por edhe në bashkitë e Shqipërisë. Çfarë ndodh në Tiranë dhe Shqipëri do të jetë e rëndësishme për BE. Fjala ime e fundit është për të theksuar thirrjen që ju kemi bërë partive, thirrja jonë është për të gjithë për vetëpërmbajtje e që të shmangin gjuhën e urrejtjes dhe gjithçka të bëhet siç duhet ditën e dielë. Prandaj dilni dhe votoni”.