Nga Dashamir Biçaku

Fillimi i prillit të këtij viti solli në Portin e Durrësit 192 kg kokainë, në dy ngarkesa të ndryshme me banane, që vinin nga Porti i Guajakilit të Ekuadorit në Amerikën Latine. Mbërritja e këtyre ngarkesave ndodhi vetëm disa javë para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që do të mbahen këtë të diel me 25 prill në Shqipëri. Nisja e këtyre sasive në këtë kohë, në pamje të parë, të jep perceptimin e një zgjedhjeje inteligjente, për të shfrytëzuar situatën, ku vëmendja është përqendruar te procesi që pritet të zhvillohet të dielën.

Sasia e konsiderueshme e kapur, por edhe intensiteti me të cilin po zhvillohet ky fenomen, të shtyn të mendosh se pas tyre mund të qëndrojnë grupe të fuqishme kriminale që japin para të madhe për çdo ofrues të sadopak garancie në aktivitetin e tyre.

E parë në këtë kuptim, goditja e dhënë nga organet e zbatimit të ligjit është një fitore për rendin dhe sigurinë në vend, duke shmangur në këtë mënyrë mundësinë që para të rrjedhura nga ky aktivitet të hidheshin në lavatriçet e pastrimit.

Ky veprim do të ishte një investim fitimprurës i grupeve kriminale në të ardhmen, çka do t’iu garantonte akses në hyrje-daljet pa tefter në Portin e Durrësit. Siç dihet, në këtë port, por edhe në pika të tjera kufitare të vendit, funksionon një sistem i skanimit të kontejnerëve dhe mallrave që vijnë nga jashtë, e veçanërisht nga Amerika Latine.

Sigurisht që tashmë Policia Kriminale dhe SPAK-u duhet t’i shkojnë më tej kësaj historie, për të zbuluar organizatorët e këtyre linjave, për të mos mbetur vetëm te “profesori tepër i nderuar”, Selim Çekaj. Në perceptimin tim, organizatorët ose drejtuesit e këtyre sasive mbeten të njëjtët dhe sigurisht në skenë deri më tani ka dalë babai i Arbër Çekajt dhe drejtuesit e një biznesi tjetër, të cilëve po në prill iu kapën në Durrës 149 kg kokainë.

Por nga ana tjetër, ky aktivitet ofron edhe një tjetër tregues po aq të rëdësishëm. Porti i Durrësit në veçanti, por edhe pika të tjera të kalimit kufitar e, nëpërmjet tyre, vendi ynë po bëhen objektivë gjithmonë e më shumë të grupeve kriminale të trafikut të narkotikëve në sasi të mëdha.

Sigurisht që sasi të tilla synohen për t’u përpunuar dhe rieksportuar jashtë vendit, kryesisht BE.

Kjo e fundit mbetet konsumatorja më e madhe këtej Atlantikut, për shkak edhe të fuqisë blerëse. Po ashtu nisur edhe nga goditjet që trafiku ka marrë në vende të tilla si Belgjikë e Francë gjatë kësaj periudhe, devijimi i trafikut drejt linjave në dukje më të sigurta duket se ka targetuar Portin e Durrësit për aktivitete të tilla.

Por nga ana tjetër nuk duhet hedhur poshtë idea që Durrësi mund të tentohet të kthehet në një portë hyrëse për të gjithë rajonin e Ballkanit, duke përfshirë Kosovën, Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjen e vende të tjera.

Për këto shkaqe, por edhe të tjera që kanë të bëjnë me aspektin hetimor të taktikës policore, Porti i Durrësit veçanërisht duhet të mbetet në një vëzhgim të posaçëm.

Kuptohet që pa lënë jashtë vështrimit edhe portet apo pikat e tjera të kalimit kufitar në vend.

Sasitë e mësipërme, bashkë me sasinë e 613 kilogramëve të kapura në magazinat e Arbër Çekajt në Mamimas, si dhe 137 kg të tjera të kapura na kontejnerët e porositur nga Gentian Malindi e konfirmojnë këtë fakt. Lista e mësipërme vlen të pasurohet me raste të tjera të kapura, si ai i vitit 2019 në Portin e Friportit (Freeport) Maltë, ku u kapën 144 kg me vlerë 5,4 milionë, nga të cilat rreth 40 kg kishin destinacion Durrësin.

Me 29 gusht të vitit 2020, në Portin e Paranaguas në Brazil, po ashtu, u kap një sasi prej 66 kg kokaine, e fshehur në të njëjtën formë, me të njëjtin destinacion. Rasti i fundit i freskët i kapur jashtë vendit i përket 29 janarit 2021.

Policia turke dhe doganat zbuluan në Portin e Ambarlisë afër Stambollit, një ngarkesë prej 88 kg kokainë, e ndarë në dy pjesë, në një kontejner që gjithashtu importonte banane.

E gjithë ngarkesa, sipas hetuesve, vinte nga Ekuadori dhe ishte fshehur në pjesën frigoriferike, në një hapësirë jashtë kontejnerit, duhej të mbërrinte në Durrës. Linjat me origjinë nga Brazili, Peruja, Kili e veçanërisht Ekuadori dhe Kolumbia, janë “feedback”-u i zgjerimit të rrjeteve kriminale shqiptare në këtë terren të panjohur për ta deri pak kohë më parë.

Lidhjet e tyre vertikale apo horizontale që ata përpiqen të ndërtojnë kryesisht në vendin tonë, duhet të jenë pjesë e interesit të organeve të hetimit, duke mos mbetur inaktivë, me argumentin se janë kapur jashtë territorit të Shqipërisë dhe në këto vende nuk vepron ligji penal shqiptar.

Sigurisht që  ligji penal shqiptar nuk vepron, por, sipas meje, paratë e kësaj origjine përbëjnë rrezik për sigurinë dhe stabilitetin. Për këtë shkak, paratë që rrjedhin nga ky aktivitet duhet të ndiqen nga vijnë e ku shkojnë.

Deri më tani hetimet nuk kanë mundur të zbulojnë fijet që drejtojnë këto linja, pasi në pah kanë dalë vetëm marionetat. Kjo pasi edhe organizatorët e trafikut janë përpjekur të heqin përgjegjësinë nga “importuesi i bananeve apo i mishit”, ose poseduesi i kontejnerit.

Këtë e pohoi pas masës së sigurisë edhe avokati i Selim Çekajt, Neshat Fana, teksa citonte pjesë të kontratës mes shitësit të bananeve në Ekuador dhe pritësit të tyre në Shqipëri. Të njëjtën alibi kanë ndjekur edhe “importuesit” e ngarkesave të mëparshme. Malli fshihet në pjesën e jashtme të kontejnerit, në zonën ku qëndron aparatura ftohëse e tij. Në dy ngarkesa të tjera me banane të porositura nga Arbër Çekajt, të kapura në Amerikën Latine, kokaina ka qenë e fshehur identikisht kështu.

Në rastet e ngarkesave të sipërcituara të kokainës, të kapura jashtë vendit tonë, por me destinacion Shqipërinë, burime zyrtare nga SPAK-u konfirmuan se nuk ka hetime konkrete.

Por sipas perceptimit normal, nëse merret një informacion apo një shkëndijë mbi një aktivitet kriminal, ku direkt apo indirekt, si vend origjine apo si vend tranziti është Shqipëria dhe që mund të jenë përfshirë elementë të krimit të organizuar shqiptar, a nuk duhet që autortitetet të ndërmarrin hapa për të identifikuar fije të mundshme të trafiqeve që mund të prekin vendin?

Përpos gjithë këtyre fakteve, vendosja e kësaj panorame në kontekstin e vështirësive ekonomike të pandemisë, situatën para apo paszgjedhore në Shqipëri, mund të zbulojë shumë “labirinthe të panjohura”, me lidhje horizontale apo vertikale.

Shkëmbimi dhe shitja e favoreve nuk mund të konsiderohen një tabu në marrëdhëniet e botës së krimit me segmente të tjera të shoqërisë dhe shtetit.

Por aspekti ekonomik mbetet kyçi i gjithçkaje, ku përfitimet e shpejta e të majme mund të tundojnë gjithkënd.

Nuk mund të përjashtohet joshja e segmenteve të ndryshme shtetërore apo të bizneseve me emër, për t’i përfshirë në linjat e sipërcituara. Ato shpeshherë kthehen në një garanci të mirë për këtë kategori “tregtarësh”.

Hetime me iniciativë, pa frikën e “shkeljes në kallo”, sigurisht që nuk do të dëmtonin imazhin e vendit, por do t’u jepnin mesazh pozitiv partnerëve dhe BE-së për integrimin e Shqipërisë drejt saj.