Edi Rama zgjodhi që ashtu si në 2017 ta mbyllë fushatën për zgjedhjet e 25 Prillit në Vlorë, që është një nga dy qarqet që kandidon për deputet.

Qyteti bregdetar është kthyer në një arenë të fortë përplasje, që kur në Vlorë është zhvendosur Presidenti Ilir Meta, për të parandaluar atë që ai e cilëson “tërmetin e dytë nga Damiani”, pasi në këtë qark kandidon Gjiknuri. Kryeministri u kërkoi vlonjatëve t’i tregojnë Ilir Metës që nuk ka parë gjë akoma.

Unë sot e kuptova që nga Vlora nuk kam parë gjë akoma. Unë sot ju kërkoj ju që jeni këtu dhe të gjithë atyre që para se të jenë socialistë, demokratë, të majtë, të djathtë, të kënaqur, të pakënaqur, janë vlonjatë, që të dielën t’i tregojnë tërë Shqipërisë dhe sidomos atij turpi kombëtar që quhet president, që nuk ka parë gjë akoma.

Më pyeti një ditë Damiani, më tha ore na mbeti Likja në Vlorë, i thash është ajo puna e derës së xhamisë, ka shkuar te dera e xhamisë dhe në 25 prill Vlora do ja lërë përgjithmonë historisë, atë, Saliun, Lulin, Monikën dhe tërë paçavuret që na janë qepur mbrapa 30 vite. Nëse na jepni 9 mandate do të bëjmë 12 herë më shumë për Vlorën” tha Rama.

Nga Vlora, Rama iu rikthye edhe njëherë deklaratës së Xhelal Mziut nga Dibra. “Sot Lulzim Basha është e njëjta gjë në një formë tjetër, i ri, europianist, i okllaisur, me gojën që e ka mbushur me sheqer, gjithë këto javë.

U desh vetëm një ngjarje për t’i parë edhe njëherë, që janë po ata, po ajo fantazmë, po ato forca që i thërrasin dembelizimit, marifetit, hilesë, lodhjes dhe pakënaqësisë duke i thënë “ej, hajdeni me ne se jeta do të bëhet e lehtë, do u japim lekë, lekë”.

Me Lulzimin as lekë nuk ka, vetëm një kërkesë, “aman, aman, më jepni votën. Ne do ja lëmë në dorë Xhelal Mziut Shqipërinë, a jeni në vete? Që të mos ju flas për Monikën, a jeni në vete?” u shpreh Rama