Votuesit në qendrën e votimit nuk duhet të kenë me vete celularin e tyre. Këtë tha sot kreu i KQZ Ilirjan Celibashi duke theksuar se fenomeni i shitblerjes së votës duhet të marrë fund. Ai u shpreh se votuesit nuk do të kontrollohen. Por nëse një votues brenda qendrës së votimit kapet me telefon do të konsiderohet si tentativë për të fotografuar votën.

“Asnjë votues me celular nuk do të lejohet të hyjë në qendrën e votimit. Kushdo që shfaqet do konsiderohet si tentativë për fotografuar votën dhe do të ndiqet. Është një masë parandaluese në kuadër të luftës që të gjithë po bëjnë për të frenuar shitblerjen e votës. Komisioni nuk do kontrollojë votuesit. Një votues nuk do të lejohet që ai të futet në qendër me telefon. Nëse ne nuk të shikojmë me telefon në dorë presupozohet që nuk e ke. Por çdo gjest i cili tregon se je në posedim të një telefoni dhe e prezanton në qendër kjo do konsiderohet si tentativë për të fotografuar votën”, u shpreh kreu i KQZ.