Sot, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është mbledhur për të zhvilluar një nga seancat e fundit plenare për këtë legjislaturë, ndërsa shumica e deputetëve nuk ishin të pranishëm në seancë.

Ministrja Elisa Spiropali, në fjalën e saj në Kuvend deklaroi se me reformat e ndërmarra gjatë këtyre viteve është synuar përmirësimi i mirëqenies së shqiptarëve, rritja e vendit ekonomikisht dhe politikisht.

Ndërsa u ndal tek opozita , ajo tha se në shtator opozita duhet të jetë më e “pjekur” dhe e përgatitur  për të bashkëpunuar me reforma që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve. Gjithashtu theksoi se tashmë pritet që të zhvillohet një proces i hapur për zgjedhjen e afërt të presidentit të ri.

“Me 104 vota çliruam Institucionin e Presidentit të Republikës nga një frymëzues i konfliktit politik. Tani kemi detyrën të zhvillojmë një proces të hapur për zgjedhjen e afërt të presidentit të ri”, tha më tej Spiropali duke shtuar: “Uroj që dielli i nxehtë i këtij behari ta ketë pjekur sadopak Partinë Demokratike , Lulzim e të tjerët dhe në legjislaturën e re në shtator të sjellin arsyen dhe guximin për të bashkëpunuar në reforma, në respekt të qytetarëve”.

Gjithashtu ajo u shpreh se është qeveria synoi konsolidimin e një kulture politike me reformën zgjedhore, duke shtuar se qeveria shqiptare përmbushi premtimin e saj për mbajtjen e zgjedhjeve të lira pa probleme.

“Në shator 2017 u zotuan të kalojmë paketa ligjore që thellojnë reformat ekonomike dhe politike. Me dy kryefjalë reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore. Qëllimi ynë ka qenë të rrisim mirëqenien e shqiptarëve dhe të forcojmë Shqipërinë politikisht dhe ekonomikisht, ta ofrojmë më tej me aleatët tanë të mëdhenj me BE  e SHBA.

Këto zotime kemi synuar t’i mbajmë dhe i kemi mbajtur në nivel të lartë. Kemi hedhur hapa të sigurt në kohë vështirësish dhe kemi vazhduar të vendosur të mos lemë asnjë shqiptar në mëshirë të fatit. Arritëm të bëjmë funksionale Gjykatën Kushtetuese me 7 anëtarë.

Por rruga deri këtu nuk ishte fushë me lule. Ndërtimi organeve të reja të drejtësisë e kanë bërë këtë legjislaturë më të rëndësishme. Premtuam që reforma zgjedhore të miratohej. Shqipërisë i dhamë një kod të ri zgjedhor dhe bëmë sa mundëm.

Zgjedhjet u vlerësuan nga Asambleja e Këshillit të Europës si më të mira. Me 104 vota çliruam Institucionin e Presidentit të Republikës nga një frymëzues i konfliktit politik. Tani kemi detyrën të zhvillojmë një proces të hapur për zgjedhjen e afërt të presidentit të ri.

Opozita demonstroi një papjekuri ulëritëse me djegien e mandateve. Një falënderim i takon grave e burrave të opozitës që ruajtën mandatet e përfaqësimit duke i shërbyer Kushtetutës së Shqipërisë”, tha  Spiropali ndërsa shtoi: Uroj që dielli i nxehtë i këtij behari ta ketë pjekur sadopak Partinë Demokratike , Lulzim e të tjerët dhe në legjislaturën e re në shtator të sjellin arsyen dhe guximin për të bashkëpunuar në reforma, në respekt të qytetarëve. Ne si shumicë do të vazhdojmë me prioritetet urgjente”, tha më tej ajo.