Një pasuri me vlerë 1.2 milionë dollarë është vënë në sekuestro preventive nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Tiranë. Bëhet e ditur se pasuria e sekuestruar është në pronësit të Ylli Didanit, 44-vjeç aktualisht i arrestuar nga autoritetet e DEA-s (antidroga)  në SHBA, pasi është i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës Latine për në SHBA dhe Evropë.

Burime bëjnë me dije se pasuria e Didanit në Shqipëri kap shifrën e 1.2 milionë dollarëve.

Sipas mediave amerikane Didani ishte udhëheqësi i organizatës ndërkombëtare të trafikut të drogës që ishte i lidhur me SHBA, Meksikën, Amerikën e Jugut dhe Evropën.

Ndër planet për shpërndarjen e kokainës ishte një nëndetëse – ose një dron nënujor. Didani dhe një person tjetër po mbikëqyrnin projektin e nëndetëses që do të përdorej për të transportuar sasi të mëdha kokaine në Evropë.

Hetimet për Didanin kanë vijuar prej 6 vitesh, ndërsa DEA amerikane pretendon se organizata e tij kishte lidhje me Shtetet e Bashkuara, Kolumbi, Ekuador, Meksikë, Kanada, Kili, Shqipëri, Turqi, Brazil, Gjermani, Republikë Dominikane, Emiratet e Bashkuara Arabe, Belgjikë, Spanja dhe Hollanda.

Didani është arrestuar në SHBA nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të kokainës. Ai u vu në pranga në 31 Mars të këtij viti në Karolinën e Veriut, pasi akuzohet për trafik droge, e kryer në bashkëpunim me disa persona të tjerë.