Ibsen Elezi, ish-kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kukësit dhe një grup mbështetësish janë mbledhur ditën e sotme përballë selisë blu për të kërkuar dorëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha.

Elezi deklaroi para mediave se nuk mund të pretendohet se Edi Rama vodhi votat ndërkohë që ke pranuar të ulesh në tryezë me Damian Gjiknurin. Ai shtoi se janë të shumtë ata që duan largimin e Bashës nga drejtimi i PD-së por që sipas tij nuk kanë guxim të flasin .

“Kjo ka për të ndodhur çdo ditë. Këtu me kalimin e ditëve, por për arsye të tensionimit të situatës. Selia blu nuk kontakton me mua edhe pse jam anëtar i PD-së. Kjo nuk është parti personale edhe pse shumë herë është përdorur si private. Unë nuk jam bashkangjitur për këtë arsye. Nuk i kam bashkuar asnjë partie tjetër edhe pse kam pasur oferta.

Këta po vrasin mendjen të gjejnë rrugën e zgjidhjes. Dolën dhe thonë akoma që Edi Rama na vodhi vota. Ulja në tavolinë me Damian Gjiknurin është poshtërim. Ky e ka shitur partinë e vet. Nuk e di nëse ka akt marrëveshjen për ta shitur me Edi Ramën por që e ka shitur ajo duket. Unë në 2018 e kam thënë që na kanë vrarë anti-trupat dhe nuk del njeri të flasë.

Ne po flasim që të mos e lëmë të vdesë këtë organizëm. Unë do jem këtu dhe do ta thyej barrierën e heshtjes. Nëse do ketë vakum do e shpall edhe unë kandidaturën.  Nuk e pretendoj. Por nëse këta nuk kanë guxim të vijnë këtu te PD edhe pse kanë firmosur një dokument. Kanë nisur të vijnë edhe nga rrethet”,deklaroi Elezi.