Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-zyrtaren e Ministrisë së Financave, Alda Klosi.

Kujtojmë se seanca për caktimin e masës së sigurisë për Klosin nisi në spital ku ajo ndodhej pasi nuk u ndje mirë, dhe më pas vijoi në gjykatë.

Gjykatësi Arben Micko ishte në QSUT, ku e deklaroi të hapur seancën dhe mori gjeneralitetet e të akuzuarës Klosi.

Me pas seanca është ndërprerë për të vijuar në një sallë gjyqi. Dy ditë më parë, në kërkesën e paraqitur në Gjykatë, prokuroria kërkoi “arrest në burg” për Klosin.

Disa javë më parë, Prokuroria e Tiranës nisi verifikimin e pasurisë së xhaxhait të Alda Klosit. Ajo ra pre e vjedhjes nga sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi. Ish-zyrtarja deklaroi se 120 mijë eurot që ia kishin vjedhur, ishin të familjes së xhaxhait të saj, Ylli Çika, që jetonte në Amerikë, i cili ia ka lënë për të kompletuar shtëpinë dhe për nevoja pasi ai ishte i sëmurë me kancer. Ai ndërroi jetë më 18 janar.

Klosi ka pretenduar para hetuesve se paratë ishin të xhaxhait për mobilimin e shtëpisë apo dhe për t’i ruajtur ato. Por burime jo zyrtare thanë për A2 CNN se familja e Ylli Çikës ish-kirurg dentar, nuk ka pasur dijeni lidhur me deklarimet e Alda Klosit në polici dhe prokurori, ndërsa kanë mohuar përfshirjen e tyre në këtë histori.