Edhe pse situata epidemiologjike e koronavirusit është e kontrolluar, përfaqësuesit e Komitetit Teknik të Ekspertëve apelojnë qytetarët për kujdes.

Nisur nga kjo situatë pozitive, Komiteti Teknik i ka propozuar Ministrisë së Arsimit, kalimin e mësimit të insitucioneve parauniversitare në klasa.

“Duke parë këtë situatë epidemiologjike dhe duke peshuar masat të cilat ne kemi marrë për ta kontrolluar atë, Komiteti i Ekspertëve i ka propozuar Ministrës së Arsimit që përsa i përket procesit arsimor parauniversitar, të kalojë nga skenari i kombinuar, në atë prezencës në klasë, duke ndjekur në mënyrë shumë rigoroze protokollet higjeno-sanitare, për sa i përket mbrojtjes nga Covid”, tha Kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli.

Drejtoresha e Instituitit të Shëndetit Publik, tha se ka një rënie të rasteve të reja pozitive, rasteve aktive dhe të shtruarve në spitale.

“Në mënyrë të vazhdueshme monitorojmë situatën epidemilogjike, e cila bazohet mbi disa indikatorë, të cilët janë incidenca dy javore, e cila ka pësuar për këtë periudhë një ulje nga 134 në 67 raste të reja për 100 mijë banorë.

Mesatarja e rasteve pozitive javore të idenfitikuara ka rënë në 135. Numri i rasteve aktive ka qënë mbi 25 mijë, ndërkohë që sot jemi në 20586. Gjithashtu numri i personave të shtruar në spitalet COVID1 dhe COVID 2 ka pësuar ulje”, bëri me dije Albana Fico.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare u shpreh se ka një rritje të lehtë të thirrjeve tek 127.

“Nga monitorimi, ka një rritje të lehtë të thirrjeve pranë Urgjencës Kombëtare Mjekësore. Kjo është e lidhur edhe me faktin e kërkesës së informacioneve sa i përket efekeve anësore të vaksinave. Por ka edhe një rritje të lehtë të vizitave në banesë. Nëse në 18 prill ishim në 290-300, sot jemi në 350-360 vizita”, tha Skënder Brataj.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ju ka bërë apel qyetarëve të vijojnë të zbatojnë masat për mbrojtjen nga COVID19.