Tre familjarë nga Kosova humbën jetën në Durrës si pasojë e helmimit nga kërpudhat. Policia tha se familja Haliti, nëna, djali dhe nusja të cilët jetonin në zonën e Gjirit të Lalzit shkuan në pyll për të mbledhur kërpudha, i konsumuan në shtëpi dhe më pas u helmuan. Me shenjat e helmimit, ata u drejtuan për në qendrën shëndetësore në Manëz për mjekim. Pasi morën një serum në këtë qendër, u rikthyen në shtëpi, por gjendja e tyre u përkeqësua. Më pas shkoi ambulanca e Tiranës dhe i transportoi për në spital. Nënë e bir humbën jetën ditën e helmimit pra (7 maj) ndërsa nusja dje. Ndërkohë një familjar i viktimave tha se ata i kishin dërguar një foto ku tregonin se ishin në pyll dhe po mblidhnin kërpudha.

“Vëllai me çoi këtë foto dhe më tha qe ‘po kalojmë mirë, kemi mbledhur kërpudha ne pyll’. Djali ka ardhur pasi mësoi se familjaret u shtruan në spital. Në polici djali tha se vëllai nena dhe kunata kanë konsumuar kërpudhat e mbledhura në pyllin e Lalëzit. Djali do tërheqë trupat nga morgu i Tiranës, për t’i çuar në Gjilan ku do bëhet varrimi i tyre.”, tha familjari.