Vrasja mbrëmë në Tiranë e 27 vjeçarit Mehmet Qema, dyshohet se ishte aksidentale, në një lojë fatale me armën e zjarrit.

Djali 28 vjeçar Marjus Dema foli sot për grupin hetimor duke pranuar se ishte përfshirë në një krim që mori jetën e shokut të tij, duke theksuar se ishte një vrasje e paqëllimshme.

Dema tha se ishte shumë i tronditur pas ngjarjes dhe shtoi se ai nuk e mban mend ku e la armën.

Marjus Dema tha se nuk e dinte se arma e zjarrit tip pistoletë që mbante në dorë kishte plumba brenda.

Ai pohoi se kishte marrë pistoletën dhe po luante duke ua drejtuar shokëve.

28-vjeçari Marjus Dema, u vetëdorëzua në polici paraditen e sotme. Ai tha para hetuesve se armën e kishte sjellë në tavolinë vetë viktima Mehmet Qema.

“Armën në tavolinë e solli Mehmeti, na tha se e kishte gjetur në rrugë. Arma ishte pa karikator dhe ishte e vjetër. Unë e mora pasi i kam qejf armët dhe po luaja me të e po ua drejtoja shokëve, sepse e konsideroja të padëmshme. Nuk e dija se kishte plumb brenda. Pas krimit u trondita shumë nuk e mbaj mend ku e lashë armën”, mësohet të ketë thënë 28-vjeçari në polici.

Më herët sot dolën pamje nga kamerat e sigurisë të lokalit, ku ndodheshin të rinjtë, ku dukej se 27-vjeçari shfaqej i ulur në tavolinë dhe disa herë komunikonte me shokun e tij, që mbante armën dhe i kërkonte atij ta ulte atë.

Nga ana tjetër, në këmbë shfaqej Marjus Dema, i cili bënte lëvizje të pakontrolluara, duke e mbushur pistoletën disa herë, derisa ajo qëlloi dhe plumbi kapi në gjoks Mehmet Qemën, i cili ra menjëherë në tokë.