Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mbajti sot një takim me demokratë të Shkodrës. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati u ndal gjatë tek PSD dhe tek ai që e cilësoi si regjimi “Rama-Doshi”.

“Nuk ka PSD, sepse ka tre kandidate të dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, që të tre drejtorë të Partisë Socialiste. Nuk ka as PSD, as PS, por është regjimi Rama-Doshi që bleu me paratë e grabitura të shqiptarëve mjerimin që j’ua ka shtruar në sofra çdo familje shkodrane dhe shqiptare. E kështu pra, fatkeqësisht, Shkodra e njerëzve me shpirt fisnik nuk përmendet për gjigandët e kulturës që e ndritën imazhin e kombit, por përmendet për Tom Doshin që është bërë i famshëm përtej Atlantikut për aferat e tij kriminale dhe korruptive  si një nga kokat e gjarprit që ka shtrënguar dhe po asfikson Shqipërinë në morsën e krimit dhe të korrupsionit,” tha ndër të tjera Basha.

Gjithashtu, kreu i demokratëve tregoi se Tom Doshi dhe njerëz të tij kanë detyruar të largohet e të mbyllë mbledhjen një ambasadore perëndimore. Kjo pasi, sipas tij, në sy të saj u grabit një i ri që u ngrit në këmbë e tha që në Shkodër po blen vota Tom Doshi.

“Dhe në fakt e pamendueshmja ndodhi këtu në Shkodër, ku për herë të parë në 30 vite Tom Doshi dhe banditët e tij detyruan të largohet dhe të mbyll mbledhjen një ambasadore perëndimore, pasi grabitën në sy të saj një të ri shkodran i cili pati guximin të ngrihej në këmbë dhe të thoshte: këtu po blen vota Tom Doshi.”