Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duket se do të ketë tre kandidatura përballë për zgjedhjet brenda partisë, që do të mbahen më 13 qershor.

Fatbardh Kadilli dorëzoi pak çaste më parë kandidaturën e tij.

Lidhur me vendimin e Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë për shpalljen e garës për Kryetar të PDSH që do të mbahen në datë 13 qershor 2021, edhe Grupi për PD bëri me dije se do paraqiten me dy kandidatura, zonja Edit Harxhi dhe zoti Ibsen Elezi.

“Për këtë po ju parashtrojmë disa kërkesa të domosdoshme për garantimin e një gare të ndershme dhe të lirë, pavaresisht nga koha tejet e shkurtër e vendosur në mënyrë të njëanshme nga kryesia e PDSH”, tha në një deklaratë grupi brenda PD-së.

Kryesia e PDSH-së dhe Komisioni Elektoral të vënë në dispozicion të kandidatëve për Kryetarë të PDSH-së, jo më vonë se data 24 maj 2021, listën e plotë të anëtarësisë së PDSH-së.

Të rishikohet përberja e Komisionit Zgjedhor dhe atyre në nivel dege, duke përfshirë përfaqësues të kandidatëve për Kryetar.

Të hartohet një axhendë e takimeve të përbashkëta të kandidatëve me anëtarësinë, për të shpalosur platformat politike dhe zhvillimin e debatit.

Zyra e Organizimit dhe kryesitë e degëve të venë në funksion të kandidatëve për Kryetar të PDSH-së, infrastrukturën dhe burimet administrative për zhvillimin e takimeve të përbashkëta të sipërcituara.

Mbetemi në pritje të plotësimit të këtyre kërkesave te domosdoshme për një gare të hapur, të barabarta dhe të mbështetur në vlerat më të mira perëndimore të Partisë Demokratike të Shqipërisë.