Sot PD është në një situatë kaotike, dëshpërimi, zemërthyerje, por a mund të mbetemi peng i këtij momenti? Unë mendoj që jo. PD ka resurse dhe forca të panumërta. Përtej zemërthyerjes dhe goditjes së fortë duhet të projektojmë PD-në e së nesërmes. Kemi ardhur duke e rrudhur partinë.

Mund të ketë 1, 2, 3, 4 apo 5 persona që mund të jenë komodë në opozitë, që mund të bëjnë biznese me qeverinë dhe s’i luan kush, por ne na preukupon fati i një shoqërie”. Kështu deklaroi sot nga Korça kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani në krah të kandidates për postin e kryetares, Edith Harxhi.

Në fjalën e tij përpara demokratëve, Nishani përpos Ramës, kishte akuza direkte për Lulzim Bashën për mungesën e ngjalljes së besimit dhe frymëzimit për 25 Prillin, por edhe për procesin e zgjedhjeve brenda partisë.

Me të drejtë gjithë kush prej nesh do të rendisë vështirësitë, padrejtësitë, dhunën e një pushteti, manipulimin, blerjen e votës, influencën e pushtetit. Biem dakord që ky është realitet, por duhet të shikojmë edhe tek vetja.

Historia e zhvillimeve shoqërore në cdo vend të botës por edhe në Shqipëri ka treguar që kur një opozitë arrin të motivojë, të fitojë besimin e shumicës së qytetarëve atëherë qytetarët derdhen në qendrat e votimit pa marrë parasysh shantazhin dhe bën përmbysjen që dëshiron. Kemi përgjegjësinë ti shikojmë të dyja anët e medaljes.

A do të mbetemi peng dhe të dorëzohemi pafundësisht te njëra anë e medaljes apo do të reagojmë duke marrë në konsideratë edhe anën tjetër? Unë jam i bindur që ky regjim që e ka kapur Shqipërinë, ne nuk mundemi që ta ndryshojmë vetëm përmes kërkesave tona publike, vetëm përmes ekzistencës, por mund ta rrëzojmë përmes aktivitetit dhe unë mendoj që këtu duhet të fillojë analiza, diskutimi dhe projektimi i një të nesërme, pasi nuk do të kishte asnjë vlerë nëse do të mbetemi peng i të djeshmes.

E quaj spekulative tezën fitoi Rama apo pati masakër elektorale. Është po aq e keqe sa manipulimi që ka bërë Rama gjatë zgjedhjeve, të manipulosh tani demokratët. Pyetja është a i fitoi apo i humbi PD zgjedhjet? Kjo është të fyejmë inteligjencën e njëri tjetrit dhe të ngacmojmë përtej limiteve ndjeshmëritë emocionale të demokratëve. Për ta rrëzuar Ramën duhet të luftojmë brenda sistemit” tha Nishani.