Lëvizja “Për Universitetin” i është përgjigjur Rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha i cili deklaroi këto ditë se tarifat për studentët nuk do të ulen pavarësisht se mësimi ka qenë online dhe nuk u bë kurrë real në auditorë.

Lëvizja paralajmëron se nëse kërkesat e tyre për ulje ose anulim të tarifës së shkollës nuk merret në konsideratë në vjeshtë me fillimin e vitit akademik do të dalin në protestë.

“Në këtë vit shkollor nuk na është ofruar asgjë dhe në këmbim na kërkohen tarifa të larta. Mësimi online ka qenë jo produktiv dhe ka funksionuar vetëm formalisht”, shprehen ata.

Shqetësimi rritet pasi UT nuk jep diplomat nëse nuk paguhen tarifat: “Nëse nuk paguajmë tarifën, universiteti nuk na jep në fund diplomat, në kuptimin e vlefshmërisë dhe së fundi kanë nxjerrë një formë kërcënimi që nuk japin vërtetimin e studentit dhe listën e notave”.

Riaktivizimi i premtuar sot i protestave studentore vjen pasi rektori i Universitetit të Tiranës z. Artan Hoxha iu përgjigj negativisht kërkesave të vazhdueshme të studentëve për ulje ose anulim të tarifës shkollore.

Sipas tij, 70% e studentëve jetojnë jashtë Tiranës dhe familjet e tyre kanë kursyer ekonomikisht.

“Por z. Hoxha nuk e merr fare parasysh se koha e kaluar në pandemi ka qenë shkatërrimtare për ekonominë familjare të shqiptarëve. Shumë kanë humbur punën, kursimet dhe shëndetin. Shto këtu që, sipas anketave, më shumë se gjysma e studentëve nuk kanë pasur mjetet e nevojshme për mësim online dhe qindra e mijëra prej tyre po e braktisin universitetin publik”, pohon Lëvizja për Universitetin.

Në këto kushte, kriza nuk është e financave të qeverisë dhe universitetit, por e mbarë shoqërisë: të rinjve, punëtorëve e familjeve të tyre. Anulimi i tarifave studentore dhe e burokracisë së zakonshme është një hap i rëndësishëm për shpëtimin e studimeve dhe ëndrrave të mijëra të rinjve. Kush nuk e kupton ose refuzon të kuptojë, vetëm sa po e thellon më tej krizën.

Nëse qeveria dhe burokracia universitare nuk marrin parasysh zërin e studentëve me idenë se ata janë të shpërndarë dhe pa mundësi për të rezistuar, të mos harrojnë se në vjeshtë me dhjetra mijëra studentë do të kthehen në auditorë dhe rrugët do të përmbyten nga thirrjet e tyre” mbyllet deklarata.