Autoritetet policore në Almeria, jugu i Spanjës, njoftuan sot se kanë zbuluar një grup kriminal shqiptar me 400 kg drogë dhe plantacione të kultivimit të lëndës narkotike.

Ata thanë se kanë arrestuar nëntë persona dhe kanë shkatërruar operacionin e bandës shqiptare të drogës, që po planifikonte të transportonte 400 kg hashash, duke e fshehur brenda një transformatori elektrik të tensionit të lartë.

EuroWeekly News, njofton se hetimet zbuluan se banda po përpiqej të merrte nën kontroll fermerët e paligjshëm të marihuanës në të gjithë rajonin perëndimor të Almerisë.

Sipas hetimit, anëtarët e bandës, të gjithë me kombësi shqiptare, kishin lidhje me Sacra Corona Unita, një organizatë famëkeqe mafioze nga rajoni italian i Pulias dhe po vepronin jashtë rajonit perëndimor të Almerisë.