Një trup i pajetë u gjet të dielën në lindje të Belgjikës dhe mund të jetë i një ushtari që dyshohet se kishte pikëpamje të ekstremit të djathtë, ndërsa u zhduk pasi vodhi armët nga një bazë ushtarake dhe kërcënoi figurat publike, thanë prokurorët, raporton agjencia franceze e lajmeve, AFP. “Sipas elementëve të parë të hetimit viktima është Jurgen Conings”, tha prokuroria në një deklaratë.

Shkaku i vdekjes ka të ngjarë, sipas gjetjeve fillestare, t’i atribuohet vetëvrasjes me armë zjarri”, shtohet në deklaratë, megjithëse kjo mbetet për t’u konfirmuar.

Qindra policë dhe një personel i ushtrisë që muajin e kaluar u vunë në kërkim të Conings, 46 vjeç, pasi automjeti i tij i braktisur u gjet në zonën afër kufirit holandez me katër raketahedhës brenda.

Conings, i cili thuhet se shërbeu në Kosovë, Irak dhe Afganistan, besohej se ishte i armatosur dhe i rrezikshëm pasi ai dyshohej për vjedhje armësh nga një bazë ushtarake ku ai punonte si instruktor.

Zbulimi u raportua për herë të parë nga kryebashkiaku i qytetit të dielën. Ai tha se e kishte gjetur trupin gjatë një udhëtimi me biçikletë në një pyll afër vendit ku u gjet makina e Conings muajin e kaluar.

“Gjatë turit tim me biçikletë këtë mëngjes në një pjesë ku pak njerëz vijnë, unë ndjeva një erë të fortë kufome”, tha Johan Tollenaere.

“Menjëherë mendova për Jurgen Conings dhe e njoftova policinë. Ata e gjetën trupin”, tha ai.

Midis njerëzve që Conings kishte kërcënuar është Marc Van Ranst, një virolog që është bërë shënjestër e teoricienëve të konspiracionit, skeptikëve të koronavirusit dhe ekstremit të djathtë flaman në Belgjikë gjatë krizës së pandemisë.

Më vonë u zbulua se Conings ishte në vëzhgim për pikëpamjet e tij të ekstremit të djathtë.