Ekstradohet drejt Turqisë, i shumëkërkuari ndërkombëtarisht, për mashtrim të 391 000 qytetarëve, nëpërmjet kriptomonedhave, mashtrim me dëm ekonomik 2 miliardë dollarë, Faruk Ozer.

Ky shtetas u kap më datë 30 gusht 2022, në Himarë, si rezultat i operacionit policor të koduar “Brain”, të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me FAST Albania, DVP Vlorë dhe Interpol Tiranën.

29-vjeçari turk ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Lartë e Stambollit në vitin 2021, kishte lëshuar urdhër arresti ndaj tij, per veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

“Mëngjesin e sotëm, specialistët e Interpol Tiranë, ata të Forcës Elitë RENEA dhe shërbimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, shoqëruan në Rinas dhe i dorëzuan homologëve të Interpol Ankarasë, shtetasin F. O., 29 vjeç, me qëllim ekstradimin e tij drejt Turqisë.

Shtetasi F. O. ishte i shumëkërkuar ndërkombëtarisht, pasi akuzohet se nëpërmjet platformës së shkëmbimit të kriptomonedhave, ka mashtruar rreth 391 000 anëtarë të kësaj platforme dhe ka përfituar rreth 2 miliard dollarë. Ndaj këtij shtetasi Gjykata e Lartë e Stambollit në vitin 2021, ka lëshuar urdhër arresti, per veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

Si rezultat i bashkepunimit të Interpol Tiranës me Interpol Ankaranë, u bë i mundur arrestimi i shtetasit F. O., në Shqipëri, në kuadër të operacionit “Brain”, dhe më pas finalizimi i procedurave me ekstradimin e tij drejt Turqisë.”, njofton Policia e Shtetit.

Gjykata e Lartë vendosi këtë të martë, ekstradimin drejt Turqisë të Faruk Ozer, njeriu i akuzuar për mashtrim me kriptovalutat. Më 17 nëntor, Gjykata e Elbasanit vendosi ekstradimin e shtetasit turk, Faruk Ozer, i arrestuar për mashtrimin me kriptomonedhat.

Seancat gjyqësore për Ozer-in janë shtyrë disa herë. Ai u arrestua në Shqipëri pas akuzave nga drejtësia turke për mashtrim. Përmes avokatit të tij, Faruk Fatih Ozer, tha se nuk është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, as i skeduar në Turqi për aktivitet kriminal. Ai ka kërkuar që të zbutet masa e dënimit, nga dënim me burg në detyrim paraqitjeje.

Arrestimi u realizua nga operacionalja e policisë se Elbasanit. Kjo pas informacioneve të marra për vendodhjen e tij në jug të vendit. Ai është akuzuar edhe më herët se ka ndihmuar Ozerin që t’i fshihej autoriteteve. Gjykata e Tiranës asokohe dha masën “arrest shtëpie” për Edevaldo Haxhiun, i cilin mohoi se ka pasur njohje me Ozeri-in.

Në fillim të prillit të këtij viti, mediat turke kishin bërë të ditur se Prokuroria kishte shpallur në kërkim dhe kishte bërë kërkesë për dënim maksimal ndaj shtetasit turk Faruk Fatih Ozer, i cili dyshohej për mashtrim në kripto. Sipas tyre, Ozer ndodhej në arrati dhe i lirë në Shqipëri.

Faruk Fatih Ozer ishte themeluesi dhe CEO i kompanisë “Thodex”. Thodex ishte një hapësirë ku përdoruesit mund të ruanin, blinin dhe shisnin kriptovaluta. Faqja e internetit papritmas doli jashtë linje më 19 prill, duke u pamundësuar klientëve aksesin në fondet e tyre.

Thodex ndërkohë kishte informuar përdoruesit se do të dilte jashtë linje për 4-5 ditë për shkak të një procesi shitjeje. Platforma, e cila trajton miliona dollarë në transaksione çdo ditë, ishte një nga platformat kryesore të kriptove në vend.

Përdoruesit shprehën shqetësime në Twitter, kur nuk mund të hynin në llogaritë e tyre ose të tërhiqnin fondet e tyre, duke çuar në bastisje të policisë në të gjithë vendin. Si rezultat, pati pretendime se rreth 2 miliardë dollarë para të investitorëve u humbën. Në atë kohë u arrestuan dhe u ndaluan gjatë hetimeve rreth 62 persona.