Nga Mero Baze

Albin Kurtit i është prishur agjenda me të cilën përpiqej të injoronte agjendën ndërkombëtare për Kosovën duke e renditur dialogun me Serbinë, Aty “diku nga vendi i shtatë”. Tani i ka dal i pari. Në çdo lëvizje ndërkombëtare që bën, i del para dialogu. Dhe në fakt ai nuk e ka problem dialogun si proces por përballjen me gënjeshtrat e veta, që dialogu ia nxjerr zbuluar.

Dhe pikërisht për këtë po përpiqet të gjej një rrugë ta prish dialogun me dorën e të tjerëve.

Deri më sot ai ka ngritur një kauzë të tërë që imponimi i dialogut me Serbin ka ardhur ngaqë Shqipëria është përfshirë në projekte rajonale, diktuar nga procesi i Berlinit. Dhe s’ka lënë gjë pa shpikur kundër katër parimeve të procesit të Berlinit për rajonin që parashikojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, të kapitaleve të krahut të punës dhe digjitalizimit. Dhjetëra “teologë” kanë shpikur teori se si po krijohet me ndihmën e Merkelit, Jugosllavia e re dhe si Shqipëria po bëhet Republikë e Shtatë.

E gjitha ka qenë se i duhej një armik në Shqipëri dhe ai të quhej Edi Rama

Deri këtu në rregull, se është zgjedhje e tij. Pra e ka zgjedhur Edi Ramën si armik meqë Shqipëria është e përfshirë në procesin e Berlinit që nxit bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Juglindor mes Serbisë Malit të Zi Shqipërisë Maqedonisë dhe Kosovës.

Tani duket se po krijon një skemë të re për t’i shpëtuar këtij dialogu. Dhe prap do armik Edi Ramën.

Qyshkur ka ardhur në pushtet po belbëzon idenë e paditjes së Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare për gjenocid ndaj Kosovës. Po shkon gjashtë muaj në pushtetin e dytë të tij dhe akoma nuk e ka bërë. Serbia është më e interesuar se Albin Kurti për atë padi.

Për gjithë populistët që spekulojnë me termin gjenocid, ai nuk është term kafenesh patriotike për term juridikë i pranuar nga një konventë e OKB në vitin 1948 dhe që nënkupton shfarosje masive të një popullsie mbi baza etnike , shkatërrimin mendor apo fizik të tyre me paramendim në mënyrë masive, shkatërrimin e qëllimshëm të kushteve të jetesës me objektiv zhdukjen fizike të tyre, krijimin e kushteve diskriminuese për shkatërrimin e lindjeve brenda grupit etnik, apo zhdukjen me forcë të fëmijëve të tyre etj.

Në Kosovë ka pasur krime të rënda të Serbisë, ka pasur masakra të rënda dhe element të gjenocidit kur nisën shpërnguljet masive pas bombardimeve, por që u ndalën nga NATO dhe u rikthyen në shtëpitë e tyre. Serbia nuk ja ka rritur të kryej genocidë ndaj Kosovës. Nuk e vë në dyshim që ka dashur, por nuk ja doli dot.

Padia për genocidë do argumente të fortë materialë, dhe juridikë, do përmbajtje të tillë që ta fitosh atë betejë. Shqipëria ka bërë 25 rezoluta parlamenti për krimet e Serbisë në Kosovë duke ju referuar edhe si gjenocid, por ato janë deklarata politike. Kosova ka bërë vetëm një rezolutë. Por diferenca mes një rezolute politike për gjenocid dhe një akuzës në gjykatë për gjenocid është aq larg sa janë gënjeshtrat e Albinit në fushatë me ato që po bën në qeveri.

Albin Kurti e ka hapur këtë çështje me qëllim të sulmojë qeveritë e 20 viteve se gjoja kanë fshehur gjenocidin ndaj Serbisë, dhe nga ana tjetër bën sikur do ta padis vet, por nuk e bën. Tani ka filluar të belbëzoi se do tia kërkojë Shqipërisë ta bëj këtë. Dhe pastaj kuptohet. Po nuk e bëri Shqipëria është si Serbia.

Ky palaço që nuk përballet dot as me gënjeshtrat e veta, dhe as me problemet e shtetit të Kosovës është i lirë ta bëj padinë për gjenocid që ka premtuar para shqiptarëve bashkë me atë kukullën me kaçurrele. Por të jetë i sigurt se kur ta humbas atë çështje dhe të pastroj përjetësisht Serbinë me vendim gjykate nga krimet që ka bërë në Kosovë dhe ti jap të drejt revanshit të saj kundër Kosovës, të bëj mirë llogaritë ku do të shkoj vet.

Ai e di mirë këtë, ndaj tani pasi ka përbaltur kundërshtarët e vet për këtë çështje spekulative, kërkon të përbalt dhe Shqipërinë dhe ky të dal heroi që kërkon të zbuloj gjenocidin, por e pengojnë ish qeveritarët e Kosovës dhe kjo e Shqipërisë që nuk e kanë paditur dhe nuk e padisin Serbinë.

Le ta padis vet Serbinë dhe le të marr përgjegjësinë për vendimin e Gjykatës, nëse humbet, pasi i ka bërë ndërkohë Serbisë, shërbimin më të madh në histori.

Por ai nuk ka për ta bërë këtë. Ai po e hap këtë temë vetë si të shmang dialogun me Serbinë që është në agjendën ndërkombëtare. Ai thjeshtë do një shkak që të mos detyrohet të përballet me gënjeshtrat e veta. Dhe natyrisht do që dëshiron ta ketë Shqipërinë, “një armik në dispozicion” që të ndjehet I rrethuar gjithandej me armiq, nga Serbia, Shqipëria, SHBA, Evropa dhe të mos e shqetësojnë qytetarët për hallet e tjera. Ka luftë të madhe për të bërë, s’ka kohë për halle të vogla. Ato i zgjidhin kushërinjtë dhe rrethet e reja familjare që po marrin pushtetin.