Një 54-vjeçar i dënuar me 25 vite burg është arrestuar nga policia e Korçës gjatë një operacioni për kapjen e trafikantëve që përmes shumave të ndryshme i kalojnë trampolinë nga Shqipëria për në vendet e BE-së. I arrestuari në kuadër të operacionit “Perimetri”, që vazhdon prej më shumë se një viti është me inicialet A. D. nga Dibra. I arrestuari për 7 vepra penale dhe i dënuar me 25 vite në Greqi, mes të cilave vrasje dhe vjedhje me dhunë ishte arratisur nga qelia në vendin fqinj, por pavarësisht kësaj vijonte që me aktivitetet e paligjshme, tashmë duke trafikuar emigrantët.

Por si ra në pranga?

Policia deklaron se në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë në fshatin Çërravë, Pogradec, ku u arrestua në flagrancë R. K., i cili u kap duke transportuar kundrejt fitimit 13 emigrantë të paligjshëm, në bashkëpunim me Forcat Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë u ndalua edhe 54 vjeçari nga Dibra, i cili rezulton se kishte rolin e organizatorit të kësaj ngjarjeje.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se Gjykata e Selanikut, Greqi, e ka dënuar me 25 vite burg për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Armëmbajtja pa leje”, “Dhunimi i banesës”, “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, vendim i njohur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër dhe Gjykata e Apelit në Tiranë.