Liridon Latifi rikthehet në Superiore dhe firmos me Vllazninë. Tashmë është zyrtare. Sulmuesi anësor, i cili doli lojtar i lirë, ka pranuar ofertën e shkodranëve dhe ka nënshkruar për dy vite.

Mësohet se Latifi do të përfitojë 90 mijë euro në sezon, plus në kontratë do të ketë edhe bonuse për arritjet ekipore dhe individuale.

“KF Vllaznia bën të ditur se pasditen e sotme ka arritur marrëveshjen me futbollistin Liridon Latifi.

Me këtë futbollist është firmosur një kontratë dyvjeçare dhe shpresojmë që ai të tregojë vlerat e tij më të mira ashtu siç ka bërë edhe në skuadrat e tjera me të cilat ka luajtur më përpara. Mirë se erdhe te Vllaznia Liridon!”, njofton Vllaznia.

Latifi në verën e vitit 2017 kaloi te Puskas në Hungari, për 1 milion euro. Në asnjë moment nuk arriti të tregonte më të mirën e tij. Një sezon 27-vjeçari ka luajtur edhe në Moldavi me Sheriff Tiraspol.