Gjykata e Fierit ka vendosur sekuestro preventive për tre llogari bankare me vlerë 100 mijë euro, në emër të nënës së Rando Hodallarit, Lumturi Çervenaku.

Ky i fundit rezulton i dënuar në Greqi për trafik droge dhe drejtues i një grupi kriminal.

Ky sekuestrim është kryer në kuadër të procedimit penal të regjistruar për veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” të parashikuar nga neni 287 i K.Penal.

Gjithashtu sekuestrimi i llogarive bankare është bazuar në të dhëna të arsyeshme që provojnë se këto pasuri burojnë nga të ardhura të fituara si pasojë e aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve të kryer në vazhdimësi nga shtetasi Rando Hodollari në shtetin grek.

27-vjeçari Renado Hodollari ishte pjesë e një bande shqiptare-greke emrat e së cilës u publikuan nga mediat greke.

Kujtojmë se në operacionin e realizuar gjatë vitit 2018 mbetën të arrestuar 7 persona mes tyre 4 shqiptarë,  përkatësisht Renado Hodallari, Spartak Zene 31-vjeç, Fatjon Habibaj 33-vjeç, Denis Nikolli 24-vjeç.

Të arrestuarit zhvillonin aktivitetin e paligjshëm në zonën e Atikës. Shqiptarët kishin rolin kryeson në organizatë, ndërsa drejtohej nga Hodallari.

Njoftimi i plotë:

Gjykata e Shkallës së Parë Fier me vendimin nr.62-2021-3433(874) datë 02.07.2021 ka miratuar kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, Seksioni i Posaçëm Kundër Pastrimit të Produkteve të Veprës Penale, për vendosjen e sekuestros preventive mbi tre llogari bankare në vlerën totale 100.000 euro të depozituara pranë një banke të nivelit të dytë nga Lumturi Çervenaku, e ëma e shtetasit Rando Hodollari i dënuar në shtetin grek për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike të kryer në kuadrin e një grupi kriminal ku ai ka pasur rolin e drejtuesit të grupit.

Ky sekuestrim është kryer në kuadër të procedimit penal të regjistruar për veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” të parashikuar nga neni 287 i K.Penal.

Sekuestrimi i llogarive bankare është bazuar në të dhëna të arsyeshme që provojnë se këto pasuri burojnë nga të ardhura të fituara si pasojë e aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve të kryer në vazhdimësi nga shtetasi Rando Hodollari në shtetin grek.