Policia ka arrestuar dy mjekë të spitalit të Traumës. Gjithashtu bën me dije se është prangosur edhe babai i 17-vjeçarit, Elmilind Dyli që u plagos në masakrën e Velipojës.

Mësohet se janë arrestuar mjekët S. M., 34 vjeç, me profesion mjek kirurg ortoped pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë dhe E. S., 45 vjeç, me profesion mjek anestezist reanimator pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë.

Gjithashtu, policia njofton se u arrestua babai i Elmilind Dylit, F. D, 40 vjeç, mbi të cilin rëndon akuza “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”

Sipas uniformave blu, ndalimi i tyre u bë për arsye se në ambientet e një qendre spitalore në Tiranë, pas një operacioni mjekësor që kirurgu S. M. dhe anestezisti E. S. i kanë bërë 17-vjeçarit të plagosur në Velipojë, i ati i pacientit dyshohet se iu ka dhënë të dy mjekëve një sasi parash për kryerjen e operacionit.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi orët e para të 27 qershorit pas një sherri për shezlongët, nga përplasja me armë mes dy familjeve.

Të vrarë mbetën Kujtim Ferracaku, Xhovani dhe Edmond Zeneli si dhe 19-vjeçari Musaen Zeneli. Kurse të plagosur mbëtën Hasan Ferracaku dhe 17-vjeçari Elmedin Dyli. Në vendngjarje, u sekuestruan 18 gëzhoja, të qitura nga 3 armë të ndryshme. Një kallashnikov dhe dy pistoleta, njëra tip TT dhe tjetra miniglok 7.65 mm.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Bisturia”.

Vihen në pranga një mjek kirurg dhe një mjek anestezist, si dhe një shtetas që iu ka dhënë këtyre dy mjekëve, një shumë parash për të kryer operacionin e djalit.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale paratë që kanë marrë mjekët për kryerjen e operacionit.

Strukturat Hetimore të DVP Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, me mbështetjen e forcës së Posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bisturia”.

Në kuadër të operacionit u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i shtetasve: S. M., 34 vjeç, me profesion mjek kirurg ortoped pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë dhe E. S., 45 vjeç, me profesion mjek anestezist reanimator pranë Spitalit Universitar të Traumës Tiranë.

-Gjithashtu u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i shtetasit F. D, 40 vjeç, banues në Shkodër.

Ndalimi i tyre u bë për arsye se në ambientet e një qendre spitalore në Tiranë, pas një operacioni mjekësor që kirurgu S. M. dhe anestezisti E. S. i kanë bërë shtetasit E. D., i plagosur mbrëmjen e datës 27 qershor, në Velipojë, i ati i pacientit, shtetasi F. D. dyshohet se iu ka dhënë të dy mjekëve një sasi parash për kryerjen e operacionit.

Pas kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumën 377.000 lekë të rinj dhe 55 euro.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykates së Shkallës së Parë Shkodër.